Torra Veneciane, një nga strukturat më interesante historike mbrojtëse të qytetit të Durrësit, është kthyer në qendrën e parë të interpretimit të trashëgimisë kulturore përmes një programi teknologjik.
Për vizitorët vendas dhe turistët e huaj, nëpërmjet një udhëzuesi audio të disponueshëm në pesë gjuhë, ofron përmes mjeteve moderne të tregimit dixhital dhe multimedial një rrugëtim të thesareve të trashëgimisë kulturore.

Ina Ajazi (Specialiste): Nëpërmjet projeksionit në kupolë ato shijojnë më shumë historikun e qytetit të Durrësit, me një video. Më pas me syzet ato shikojnë Amfiteatrin e qytetit, Forumin dhe një pikturë mesjetare. Më pas marrin tabletin ku kanë informacion në 5 gjuhë të huaja.

Vizitorët do të mund të eksplorojnë historinë e Durrësit përmes projeksionit multimedial në kupolë apo të zhyten në të kaluarën e lashtë përmes realitetit virtual. E kjo risi, është pritur mjaft mirë prej tyre.

Ina Ajazi (Specialiste): Vizitorët e huaj e kanë pëlqyer shumë, kemi pasur një impakt të mirë si nga vendasit ashtu dhe të huajt. Mendoj se kjo i mungonte qytetit, një qendër interpretimi digjital.

E pozicionuar në qendrën historike të qytetit, Kulla Veneciane është pjesë e kalasë së Durrësit dhe në mesjetë ajo konsiderohej si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut. Ajo iu nënshtrua restaurimit pas tërmetit të 2019, falë programit EU4Culture me vlerë 690 mijë euro.

Klan News