Laçi i ka dhënë fund ecurisë negative prej tri humbjesh radhazi duke mposhtur Vorën me rezultatin 1-0.

Përballja e vlefshme për javën e tetë të Abissnet Superiores dhuroi emocione të shumta me dy penallti të humbura në pjesën e parë.

Skuadra e Vorës pati mundësinë e artë për kaluar në avantazh që në minutën e dhjetë, por Karrica dështoi nga pika e bardhë. Vetëm pak minuta më vonë u akordua një tjetër 11-metërsh për vendasit pas rishikimit në VAR, por edhe Bibo u ndal nga portieri Harizaj.

Fraksioni i dytë i lojës foli më shumë për kurbinasit e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani. Goli vendimtar i takimit erdhi në minutën e 73-të, kur Kurti devijoi saktë topin në rrjetë pas një goditjeje këndi.

Falë këtij triumfi të rëndësishëm, Laçi ngjitet në vendin e pestë të renditjes me dhjetë pikë të grumbulluara.

Nga ana tjetër, Vora mbetet në kuotën e tetë pikëve duke u renditur në vendin e shtatë të kampionatit.

/tvklan.al