Ilir Beqaraj i dyshuar si një nga autorët, Edison Haxhiu krijoi kushtet për krimin

Policia e Tiranës ka rindërtuar dinamikën e atentatit ndaj Gentian Bejtjes, ngjarje e ndodhur të premten e shkuar. Referuar itinerarit, pas kryerjes së krimit, agresorët dolën në aksin rrugor Larushkë-Thumanë, dhe pasi kaluan në mbikalimin e Fushë-Krujës, u kthyen majtas dhe në fshatin Hasan e dogjën.

“Sipas policisë autorët pasi dogjën automjetin tip Land Rover Discover që e përdorën për të kryer vrasjen u larguan nga fshati Hasan drejt fshatit Bubq me një automjet tip Volksvagen golf pa targë në pjesën e pasme. Është pikërisht kjo makinë që dyshohet se ka larguar autorët pas eliminimit të 43-vjeçarit. Automjeti me targë AB960GG rezulton në pronësi të Edison Haxhiu nga Miloti, por gjatë ditëve të fundit është përdorur nga Ilir Beqaraj i njohur dhe me dy mbiemrat e tjerë Brahimi e Mançellari.”

Automjeti u gjet të martën nga grupi hetimor në një lavazh në zonën e Lundrës, gati për t’u larë. Menjëherë policia ndërhyri dhe shoqëroi edhe pronarin e mjetit 30-vjeçarin Edison Haxhiu. Ky i fundit i tha bluve se makinën e ka patur 41-vjeçari Beqaraj. Pas kontrollit në banesën e tij, u gjetën dy pistoleta, njëra me leje, fishekë, pajisje si ato të radiomarrëse dhënëse, dokumente të falsifikuara kosovare dhe dy aparate celularë.

Nga provat e siguruara policia ka dyshime se 41-vjeçari me tre mbiemra të jetë një nga autorët e vrasjes së Gentjan Bejtjas. Por deri më tani ndaj tij janë ngritur akuzat “armëmbajtjes pa leje” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Ndërsa ndaj pronarit të mjetit është ngritur akuza e “sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Dy të arrestuarit nuk janë treguar bashkëpunues me hetuesit, duke mos pranuar akuzat apo të dhëna të personave të tjerë të përfshirë.

Klan News