21 persona, të moshës nga 34 deri në 95 vjeç, janë sëmurë me listeriozë, sipas Agjencisë Franceze të Shëndetit Publik. Dy persona kanë vdekur.

Zyrtarët e shëndetësisë thanë se kanë krijuar një lidhje të mundshme midis këtyre rasteve të listeriozës dhe konsumit të djathrave me qumësht të pasterizuar, të prodhuar nga kompania Chavegrand, për të cilat janë marrë masa emergjente për t’i tërhequr nga tregu.

Produktet e kontaminuara ishin shpërndarë në supermarkete të mëdha në Francë dhe eksportuar në rreth 30 vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Belgjikën, Danimarkën dhe shumë shtete të tjera.

Shumica e njerëzve të infektuar mund të mos kenë asnjë simptomë ose të kenë simptoma të lehta. Por në disa raste, listerioza mund të kthehet në një sëmundje kërcënuese për jetën.

Listerioza është veçanërisht e rrezikshme për gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar. Simptomat mund të përfshijnë ethe, dhimbje muskujsh, të përziera dhe, në raste të rënda, meningjit.

Autoritetet franceze të shëndetësisë u bënë thirrje njerëzve të mos konsumojnë djathrat e tërhequr nga tregu dhe të monitorojnë nga afër shëndetin e tyre nëse i kanë konsumuar kohët e fundit. Simptomat e listeriozës mund të shfaqen deri në tetë javë pasi të konsumohet ushqimi i kontaminuar.

Tv Klan u interesua pranë Ministrisë së Bujqësisë lidhur me praninë e këtij lloji djathi në tregun shqiptar dhe rrezikun që ai mbart për shëndetin e popullatës. Por ky institucion deklaroi se nuk kishte asnjëlloj informacioni lidhur me këtë çështje.

Tv Klan

/tvklan.al