Dy viktima janë shënuar nga stuhia e fortë që goditi jugun e vendit.
Punonjës i OSHEE ,Bashkim Boci nga Elbasani, 54 vjeç, humbi jetën gjatë punës për rikthimin e energjisë elektrike në Himarë, e cila ishte shkëputur për shkak të stuhisë.
Ndërkohë që viktima e dytë është peshkatari Mihal Zoi. Trupi i pajetë i 61-vjeçarit është gjetur në zonën detare pranë ishujve të Ksamilit.
Sipas policisë, dyshohet se shtetasi ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë. Shërbimet e Policisë kanë gjetur edhe mjetin lundrues me të cilin 61-vjeçari kishte dalë për peshkim.
Grupi hetimor, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Stuhia e shoqëruar me erëra të forta dhe reshje intensive përfshiu dhe qytetin e Sarandës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëme të shumta materiale.
Në këto pamje, turistët që ndodheshin në Sarandë kanë deklaruar se nuk kishin asnjë paralajmërim se do kishte një fenomen të tillë natyror, ndaj shprehen se ishte moti më i çmendur që kanë parë ndonjëherë duke e klasifikuar edhe si tornado që për fat zgjati pak.
Në Sarandë, era e fortë rrëzoi pemë në disa zona të qytetit, të cilat ranë mbi automjete të parkuara, duke shkaktuar dëmtime materiale.
Si pasojë e stuhisë, tre qytetarë mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore në spital.
Era e fortë ka përfshirë edhe qytetin e Vlorës, duke sjellë shkputje të energjisë dhe vështirësi në qarkullimine mjeteve
Sipas ministrisë së infrastrukturës dhe energjisë në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ku ndër rajonet e prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi. Në terren për normalizimin e situatës së furnizimit me energji elektrike janë angazhuar më shumë se 1,000 punonjës.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, erërat me intensitet të lartë dhe dallgëzimin përtej normave të lejuara për lundrim të sigurt, autoriteti portual Sarandë ka ndaluar deri në një urdhër të dytë, mjeteve lundruese, përfshirë mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla, në të gjithë gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandës, Ksamilit dhe Borshit.
/tvklan.al












Botërori 2026 