Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotim në Mitrovicë, pasi në Qendrën Komunale të Numërimit u shfaqën fletëvotime me kode serike që nuk përputheshin me kutitë.

Sipas zyrtarëve të PDK-së, bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër bie ndesh me ligjin dhe me rregullat e KQZ-së.

Përveç në organet e drejtësisë, PDK i është drejtuar edhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Prokuroria ndërpreu përkohësisht numërimin për të urdhëruar më pas rifillimin e tij me dy hetues të pranishëm gjatë gjithë kohës.

“Për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletëvotime. Për këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi sqarim zyrtar nga kompania sllovene e cila ka shtypur fletëvotimet,” thanë zyrtarët e KQZ-së.

Kompania në fjalë deklaroi të martën se bëhet fjalë për një gabim teknik.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se për këtë përgjigje është informuar edhe Prokuroria e Shtetit. Përveç Mitrovicës së Jugut, një gabim teknik i njëjtë është evidentuar edhe në Gjakovë.

Megjithatë, zyrtari Gruda nuk e sheh si justifikim faktin që në fletëvotimet e Mitrovicës së Jugut ka ndodhur një gabim teknik.

Në balotazhin e 9 nëntorit në Mitrovicën e Jugut, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje doli sërish i pari me 53,47% apo 17,837 vota, ndërsa Arian Tahiri nga PDK-ja mori 46,53% apo 15,522 vota.

Tv Klan

/tvklan.al