Një gjykatë në Maltë ka shpallur të pafajshëm biznesmenin Yorgen Fenech, i cili akuzohej se kishte organizuar dhe nxitur vrasjen e gazetares së njohur investigative Daphne Caruana Galizia.
Fenech, 44 vjeç, u shpall i pafajshëm të mërkurën, në përfundim të një gjyqi me juri që zgjati disa javë. Ai përballej me akuzën e bashkëpunimit në vrasje, si dhe me një akuzë më të lehtë për bashkim kriminal me qëllim kryerjen e vrasjes. Nëse do të shpallej fajtor, ai mund të dënohej me burgim të përjetshëm.
Juria e shpalli Fenech të pafajshëm për të dyja akuzat me një rezultat 8 vota pro pafajësisë kundrejt 1, pas rreth tetë orësh diskutime.
Vendimi shkaktoi reagime të forta në sallën e gjyqit në Valletta. Familjarët e Daphne Caruana Galizia u panë duke qarë pas shpalljes së vendimit, ndërsa të afërmit e Fenech festuan jashtë dhe brenda gjykatës.
Familja e gazetares së vrarë deklaroi se, nëntë vjet pas vrasjes brutale të Daphne-s, dështimet institucionale që bënë të mundur krimin ende nuk janë trajtuar dhe nuk janë reformuar.
“Drejtësia e qëndrueshme do të thotë që askush të mos përballet më me të njëjtat rreziqe”, tha familja, duke theksuar se shteti maltez nuk arriti ta mbronte jetën e gazetares dhe se vendi ka detyrimin të parandalojë humbjen e jetëve të tjera.
Vrasja e Daphne Caruana Galizia më 16 tetor 2017 tronditi Maltën dhe komunitetin gazetaresk në të gjithë Evropën. Gazetarja, e cila ishte 53 vjeçe, u vra kur një bombë shpërtheu në makinën e saj pranë shtëpisë. Ajo ishte bërë e njohur për hetimet e saj mbi korrupsionin dhe lidhjet mes biznesit dhe elitës politike të Maltës.
Prokuroria argumentoi gjatë gjyqit se Fenech kishte motiv për eliminimin e gazetares, pasi ajo dyshohet se ishte pranë publikimit të informacioneve që mund ta dëmtonin atë. Fenech i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka deklaruar se nuk kishte urdhëruar vrasjen.
/tvklan.al












Botërori 2026 
