19 nëntor 2026 – Milan Radoiçiç, i dyshuari kryesor për organizimin e sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023, është ndaluar të futet në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo, pasi është shpallur kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ky vendim mësohet të jetë marrë më 13 nëntor, katër ditë para se Gjykata e Lartë e Beogradit të urdhëronte paraburgimin e tij dhe ta shpallte Radoiçiçin në kërkim. Nga ana tjetër, autoritetet në Bosnjë nuk dhanë detaje për këtë vendim dhe as arsyet se përse Radoiçiç cilësohet si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Kështu, serbit do t’i ndalohet hyrja në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke e kthyer mbrapsht nga çdo pikë kufitare ku ai do të tentojë të hyjë në territorin e shtetit boshnjak.

Ky vendim vjen në një moment kur nuk dihet as vendndodhja e Milan Radoiçiçit.

Vlen të theksohet se më herët atij i është konfiskuar edhe pasaporta dhe i është ndaluar largimi nga vendbanimi pa lejen e institucioneve përkatëse. Kujtojmë se “zhdukja” e Radoiçiçit ndodhi pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e mbajtura në fund të tetorit në Serbi.


/tvklan.al