Ndotja e ujërave të plazheve të Brazilit po dëmton ekonominë e peshkatarëve

Nën rrezet e forta të diellit, peshkatari brazilian Jerci Antonio Rodrigues kalon  me varkën e tij nëpër ujërat e ndotura të gjirit Sepetiba i pashpresë se dita e punës do t’i shkojë mirë.

71-vjeçarari kujton me nostalgji shumë vite më parë, kur ujërat e këtij plazhi ishin të pastra dhe peshqit ishin me bollëk.

“Në moshën time, kushdo që ka parë gjirin e Sepetiba është i trishtuar sepse peshkatarët nuk mund të mbijetojnë më nga tregtia e peshqve. Sot nuk ka kushte për ta bërë këtë”, tha ai.

Varka e Rodrigues lëviz ngadalë nga plazhet me baltë që rrethojnë gjirin, ku  gjallesa të tilla si peshqit dhe gaforret ndajnë mjedisin e tyre natyror me mbeturinat.

Rodrigues i cili filloi të peshkonte në moshën dhjetë vjeçare, thotë se mbeturinat kanë dëmtuar vijën bregdetare të plazhit Do Cardo. Këto pamje janë  një kontrast i thellë me atë që ai mban mend vite më parë.

“Kur deti ishte i pastër, mund të hidhje një rrjetë dhe të merrje peshk. Sa herë që do të hidhje një rrjetë, do të kishte  gjithmonë  peshk. Tani ju kalon nëpër të gjithë gjirin dhe i vetmi vend me peshk është ishulli Restinga da Marambaia”, thotë ai.

Me dëshpërim ai përshkruan realitetin e hidhur që ekziston.

“Janë qese plastike, shishe, karrige, aty ka gjithçka. Shikoni ku përfundoi ajo karrige. Njerëzit lënë kolltukë në plazh, televizorë të vjetër.”

Përveç mbeturinave, lumi Piraque që derdhet në gji mbart mbetjet e ujërave të zeza nga i gjithë rajoni.

“Poshtë plazhit derdhen shumë ujëra të zeza përmes kanalizimeve dhe kushtet nuk janë të mira. Nëse një person dëshiron të lahet, ai mund të vijë vetëm këtu.”

I pyetur nëse mendon se gjiri Sepetiba do të  rikthehet në  gjendjen e mëparshme ai përgjigjet kështu.

“A kam shpresë? Do të ishte një mrekulli të shihje Gjirin Sepetiba të pastër!”

Uji është një burim thelbësor për mbijetesën e njeriut. Sipas Raportit të Zhvillimit Botëror të Ujit 2021 të lëshuar nga UNESCO, përdorimi global i ujërave të ëmbla është rritur gjashtëfish në 100 vitet e fundit dhe është rritur me rreth 1% në vit që nga vitet 1980.

Me rritjen e konsumit të ujit, cilësia e ujit po përballet me sfida të rënda. Industrializimi, prodhimi bujqësor dhe jeta urbane kanë çuar në degradimin dhe ndotjen e mjedisit, duke ndikuar negativisht.

Më shumë se 80% e ujërave të zeza në  botë derdhen në lumenj dhe oqeane, gjë që çon në ndotjen e mjedisit dhe më shumë se 50 sëmundje. Kjo përqindje është më e lartë në vendet më pak të zhvilluara, ku pajisjet sanitare dhe të trajtimit të ujërave të zeza mungojnë shumë.

80% e sëmundjeve dhe 50% e vdekjeve të fëmijëve në mbarë botën lidhen pikërisht me cilësinë e dobët të ujit. Sfidat me ujin e pijshëm janë të mëdha, por nuk janë të pakapërcyeshme.

Klan News