#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Jeta e dytë e Esmes – “E Diela Ndryshe”

“Pashë tym të zi dhe vajzën në zjarr”, rrëqeth nëna e 2-vjeçare: Mjekët thanë bëni gati shtëpinë…

Takimi i radhës në “E Diela Ndryshe” është një rast shëndetësor. Përpara se të na prezantojë me të, Arbër Hajdari i bën një përmbledhje statistikore moderatorit të së “Dielës  Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas, ku i thotë se 60% e rasteve të “Fundjavë Ndryshe” janë shëndetësore. Nga këto, 95% janë të patrajtueshme në Shqipëri.

Sëmundjet përfshijnë leucemi akute, kancer, tumore dhe deri më tani janë trajtuar 302 persona, 90% e tyre janë fëmijë. Kostot janë të paimagjinueshme sepse vetëm për leuceminë akute trajtimi mund të shkojë në 100 mijë euro.

Ky episod na dërgon në shtëpinë e Mirelës, një nëne me 4 fëmijë të moshave 16 vjeç, 13 vjeç, 2 dhe më e vogla, 40-ditëshe. Në shtëpi endet 2-vjeçarja, Esma, me një pamje që të këput shpirtin: lëkura që duhet të ishte e butë, e bardhë dhe e lëmuar siç e kanë fëmijët, ka shenja të mëdha, shformim që i zbret  deri në qafë e duar. Më 15 korrik të vitit 2024, Esma pësoi një aksident që e çoi në prag të vdekjes.


Mirela: Ne ishim në shtëpi, sa kishim ardhur nga puna dhe vendos çuni skarën, e ndez. Më thotë mua mami, më jep çikë antidjersën që ta hedh, të bëhet flakë, të bëhet më shpejt. Unë i thashë jo, nuk hidhet gjë aty se po e hodhe, bëhet një flakë e madhe, do të ndodhë diçka në shtëpinë tonë. Unë futem brenda, ulem këtu në divan, kisha një çikë debulesë, ma ndiente trupi që do të ndodhë diçka.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Mirela: Ky shkon te mami im, një shishe alkool gjysmëkilëshe, e fryn te zjarri ose e ka hedhur nuk e di, ajo shishja plasi.

Ardit Gjebrea: Ishte djali i madh?

Mirela: 13 vjeç.

Ardit Gjebrea: Djali 13 vjeç.

Mirela: Kur plasi shishja, ne dalim jashtë.

Ardit Gjebrea: Dëgjuat zhurmë ju?

Mirela: Po. Plasi shumë dhe gjej gocën te motra se e kam motrën të veshur me shami dhe po mundohej ta fikte te shamia e vet. I thashë ma jep mua Esmën që t’i shpëtoj jetën. Kishim një kovë me ujë jashtë.

Ardit Gjebrea: Ti kur dole, çfarë pe?

Mirela: Zjarr komplet. Tym i zi dhe gocën në zjarr, fëmijët bërtisnin. Nuk kam parë fëmijët e tjerë,  vetëm Esmën. Kam shuar zjarrin dhe e kam marrë për në spital.

Menjëherë, iu drejtuan Spitalit Ushtarak, teksa Mirela kujton se vajza vetëm qante dhe i hidhnin vazhdimisht ujë që mos të humbte ndjenjat. Në spital, mjekët u dorëzuan.

Mirela: Pas Spitalit Ushtarak, e dërguam te spitali i djegies. Aty e fashuan, i dhanë ndihmën e parë, pastaj kemi kaluar te pediatria e re që është bërë tani. Aty nuk  na dhanë shpresa.

Ardit Gjebrea: Çfarë ju thanë?

Mirela: Ka djegur organet e brendshme.

Ardit Gjebrea: Dhe nuk ju dhanë shpresë.

Mirela: Jo.

Ardit Gjebrea: Nuk ju dhanë shpresë  jete?

Mirela: Jo. Pastaj burrit të motrës i kishin thënë që ik bëj gati shtëpinë se nga minuti në minutë mund të mbarojë. Për ne prindërit ishte e vështirë sepse të të thonë për një fëmijë që nuk ka shpresë… ishin momentet më të vështira të jetës sime.

75% e trupit e djegur! Gara me kohën për jetën e 2-vjeçares: Rast fatal, një gabim i vogël…

15 korriku i vitit të kaluar do të ndryshonte përgjithmonë jetën e Esmës 2-vjeçare. Rubrika “E Diela Ndryshe” na njeh me rrëfimin e Mirelës, nënës së 4 fëmijëve që tregon sesi një aksident fatkeq në shtëpi, përfshiu vajzën mes flakëve duke e çuar në kufijtë e jetës dhe shpërfytyruar.

Në spital, mjekët ua hoqën të gjitha shpresat dhe e vetmja që ngeli ishte “Fundjavë Ndryshe”. Familja kontaktoi fondacionin që i siguroi se do të bënin gjithçka për t’i ndihmuar. Prapaskenat se ç’ndodhte pas dhomës së izoluar me xham ku ndodhej 2-vjeçarja, Arbër Hajdari i rrëfen para moderatorit të së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan, Ardit Gjebreas, dhe Mirelës.

Edhe vetë Arbrit, mjekët i kishin thënë se përpjekja do të ishte e kotë duke e vendosur në një pozitë delikate. Njëkohësisht, mjekët në Itali jepnin një përqindje të vogël sigurie, por me rrezikshmëri tejet të lartë, duke filluar që nga transporti. Kostoja s’ishte e vogël. Gjendja e Esmës ishte ekstremisht kritike, por Arbri vendosi t’i besonte një instinkti që i thoshte se duhet ta çonte deri në fund. Aty nisi gara me kohën.


Arbër Hajdari: Rasti i Esmës ka qenë fatal. Në momentin që kemi marrë vesh lajmin, jemi informuar që ka ndodhur një ngjarje e tillë, kam shkuar në spital, përmes një xhami kam parë vajzën e cila ishte komplet e izoluar dhe mjekët thanë që është e kotë edhe të përpiqesh tanimë.

Ardit Gjebrea: Pra nuk dhanë asnjë shpresë?

Arbër Hajdari: Nuk dhanë asnjë shpresë, fëmija është totalisht i djegur, kishte rënë në gjendje koma disa orë pasi kishte ardhur në spital dhe ka qenë një moment shumë i vështirë sepse nuk dija si t’i thoja Mirelës në një krah dhe në krahun tjetër duke u përpjekur për të sjellë informacion të gjendjes së saj reale me ekipin mjekësor në Itali.

Ardit Gjebrea: Ah, pse, ju u lidhët me Italinë pastaj?

Arbër Hajdari: Patjetër. Ne u konsultuam me mjekët e specializuar në Itali.  Edhe për ata rasti ishte shumë i vështirë, por më i vështirë për ta do të ishte transportimi i vajzës nga Shqipëria drejt Italisë.

Ardit Gjebrea: Po mjekët italianë të dhanë shpresa?

Arbër Hajdari: Shumë pak, një përqindje shumë e pakët. Ata thanë që 90%, rasti nuk do t’ia dalë dot.

Ardit Gjebrea: Edhe ata?

Arbër Hajdari: Edhe ata.

Ardit Gjebrea: Ndërsa në Shqipëri fare.

Arbër Hajdari: Në Shqipëri, për hir të së vërtetës, Mirela, ata kishin bërë gati kartelën e vdekjes dhe unë e kam përmbajtur veten shumë në atë kohë që te ti mos të të përcjellim asnjë nga këto mesazhe përveç atij të shpresës dhe për të të ndenjur afër, por ishin të bindur që gjithçka ka mbaruar. Ka qenë një operacion i jashtëzakonshëm, gati 24 orë vetëm  pjesa operative sesi do të bëhej i mundur transportimi i vajzës nga Shqipëria me një avion sanitar pasi parametrat jetësorë ishin në gjendje kritike. Djegia ishte masive, ishte gati 75% e trupit e djegur, kryesisht në kokë dhe mjekët në Itali nuk donin ta merrnin këtë risk përsipër dhe gjatë gjithë kësaj kohe, Mirelës ne i komunikonim që rri e qetë se ne do ta dërgojmë jashtë vendit, ndërkohë që nuk kishim asgjë të sigurt, kishim vetëm dëshirën dhe kemi vijuar një mori diskutimesh në Itali derisa në fund filluam t’i luteshim që ju lutem, edhe nëse ka 1% shpresë për të  jetuar, le ta bëjmë këtë përpjekje. Ata na kujtonin gjatë bisedave tona që shifrat do të jenë goxha të larta për këtë rast për shkak të transportit, trajtimi i gjatë i fëmijës i cili ndoshta nuk do të sjellë asnjë lloj rezultati, do të ketë kosto të lartë. Ishte një risk i madh që ne e kishim vendosur ta merrnim përsipër.

Ardit Gjebrea: Transporti ishte i vështirë?

Arbër Hajdari: Ishte shumë i vështirë Ardit, menjëherë kemi siguruar një avion spitalor pasi dhe trafiku ajror ishte shumë  i ngarkuar. Është bërë një koordinim mes spitalit në Shqipëri, spitalit në Itali, ekipit mjekësor të avionit sanitar duke marrë parametrat e vajzës dhe duke i përcjellë te  njëri-tjetri. Kemi shoqëruar mjekët dhe pajisjet mjekësore te avioni nga aeroporti i Tiranës deri në QSUT në një kohë rekord në shoqërimin e policisë për të fituar edhe 1 minutë. Edhe 1 minutë ishte e vlefshme për jetën e Esmës. Kemi mbërrritur në QSUNT dhe vetëm koha për të kaluar Esmën nga një shtrat te shtrati ku do të  transportohej ishte 6 orë sepse gjendja e saj ishte shumë kritike dhe një gabim sado i vogël nëse do të ndodhte gjatë lëvizjes së aparaturave, Esma do të ndërronte jetë në sekondë.

Gjatë këtyre orëve kritike, vogëlushja ishte në gjendje koma dhe nën ndikimin e medikamenteve të forta për të shmangur dhimbjet e papërballueshme nëse zgjohej. Vetëm për ta sistemuar në avion, u desh edhe një orë e gjysmë. Arbër Hajdari kujton forcën e Mirelës për ta përballuar situatën dhe mos ta lëshuar veten. Në avion mund të ishte i pranishëm vetëm njëri nga  prindërit dhe këtë detyrë e mori  Mirela.

Rrahjet e zemrës triumfuan mbi flakët që i dogjën trupin, 2-vjeçarja fiton jetën e dytë

75% e trupit e djegur, pjesa më e madhe e djegieve e përqendruar në kokë, trupi i vogël i një 2-vjeçareje i stëmunduar nga plagët ndërsa gjendej në koma dhe 90% e probabilitetit  të jetës nuk ekzistonte. Ky  ishte bilanci për Esmën e vogël që për shkak të një incidenti nga vëllai 13-vjeçar në shtëpi, thuajse humbi jetën.

“E Diela Ndryshe” i gjen Arbër Hajdarin dhe Ardit Gjebrean në shtëpinë e vajzës duke biseduar me nënën, Mirelën për këtë sfidë shëndetësore. Falë “Fundjavë Ndryshe” dhe një besimi të palëkundur se  vajzës mund t’i shpëtohej jeta, pavarësisht se mjekët s’kishin kurrfarë shprese,  u mundësua dërgimi i saj për kurim në Itali.

Siç tregon Arbri në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Esma qëndroi 3 muaj në spital.  Shpenzimet e transportit dhe ato spitalore kanë kaluar vlerën 100 mijë euro, ndërsa përshkruan se çfarë ndodhte në dhomën e izoluar të spitalit. Kur shpresat ishin duke u venitur se Esma do të zgjohej, pas një muaji, ajo ‘lindi’ për herë të dytë.


Arbër Hajdari: Unë isha shumë në merak sepse ishte vendimi im që Esma të nisej, edhe kur të gjithë   mjekët që na rrethonin, që dinë më shumë se ne, tentuan të ma mbushnin mendjen, kisha një ndjenjë që duhet t’i shkojmë deri në fund, duhet t’i japim një mundësi deri në fund. 3 ditë më vonë udhëtova unë për në spital në Itali. Me të mbërritur atje, kam parë që ishin 20 mjekë të angazhuar vetëm me rastin e Esmës. Kishte mjekime çdo 20 minuta dhe kishte mjekime që e mbanin në gjendje të fjetur për shkak të dhimbjeve të papërballueshme. Ato 3 muaj kanë qenë të vështira. Mbaj mend që pas 1 muaji, ata filluan të testojnë zgjimin. Ne në kontakt të vazhdueshëm me Mirelën përditë, Mirela si është sot, Mirela, si është tani. E mbaj mend si të ketë ndodhur tani afër kur Mirela më dërgoi një mesazh shoqëruar me një  foto që vajza u zgjua.

Ardit Gjebrea: Si ka qenë ai moment?

Mirela: Ishte momenti më i lumtur në jetën time kur u zgjua Esma sepse nuk e prisnim që Esma të kthehej prapë. Shihnim aparaturat kur lëviznin, shihnim Esmën kur ishte shumë keq se unë rrija 24 orë  aty te një xham se brenda nuk lejohej.

“Buza ishte e mbyllur, ushqehej me tuba”/ Momenti i djegies së 2-vjeçares: Familjarëve u ngelej lëkura në duar

Për Esmën, vogëlushen 2-vjeçare, trupi i së cilës mbart shenjat ende të freskëta të luftës me flakët, shpresa ishte thuajse e shuar. Vetëm një mrekulli mund të bënte që ajo të mposhtte të gjitha parashikimet e mjekëve shqiptarë e italianë dhe të fitonte një jetë tjetër.

Në rubrikën “E Diela Ndryshe”, Arbër Hajdari dhe nëna e Esmës, Mirela, ndanë rrugëtimin sfidues, të  mbushur me frikë, besim dhe forcën për të mos u dorëzuar. Ky takim përmes rubrikës të së “Dielës  Shqiptare” në Tv Klan nuk është vetëm për këtë rrëfim, por për të vijuar historinë.

Esma nis fazën e rehabilitimit që mund të zgjasë eedhe më shumë për shkak të kompleksistetit të gjendjes shëndetësore. Trajtime të shumta për të kthyer lëvizshmërinë e gjymtyrëve dhe për të zvogëluar shenjat në trupin e saj.


Arbër Hajdari: Historia vazhdon. Kishim kaluar vetëm një pjesë të vuajtjeve dhe më të rëndësishmen që doli nga rreziku për jetën dhe tani nisi faza tjetër, nisi faza e rehabilitimit të Esmës. Nga organet e brendshme, që nga fizioterapitë e duarve dhe këmbëve dhe pastaj çka është më e rëndësishmja, pjesa e djegieve që ishin masive, në të gjithë trupin, kryesisht në pjesën e kokës më të mëdha. Trajtime të cilat kushtojnë shumë, trajtime të cilat janë periodike, të përditshme, vizita mjekësore, lazerë, metoda nga më të ndryshme të propozuara nga mjekët në Itali që Esmës t’i reduktohet sa më shumë numri i shenjave që ka në trup, të ecë pa probleme, të lëvizë pa probleme. Për këtë kemi bashkëpunuar mirë me Mirelën që është bërë edhe ndihmësinfermiere.

Ardit Gjebrea: Tani ia ke marrë dorën.

Arbër Hajdari: Po.

Ardit Gjebrea: Çfarë shërbimesh i bëni Esmës çdo ditë?

Mirela: Tani kam kremrat. Para një muaji kisha  edhe ilaçet. Ka pasur një ilaç për trurin që e kishte në orën 8 të mëngjesit, të pasdites, në 12 të natës. Për momentin kemi fytyrën dhe pjesën këtu se Esma e ka  pasur komplet buzën e mbyllur, ka bërë një  ndërhyrje në Itali dhe përsëri ka nevojë për ndërhyrje.

Ardit Gjebrea: Si e ka pasur buzën e mbyllur?

Arbër Hajdari: Të bashkuar.

Ardit Gjebrea: Po si ushqehej?

Mirela: Me tuba. 3 muaj ashtu është ushqyer Esma.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë e nxirrni  jashtë?

Mirela: Jo, nuk e lejojnë që  të dalë jashtë për 18 muaj.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Mirela: Sepse rrezet e diellit i ndikojnë shumë, i thahet lëkura dhe Esma ka një maskë dhe një triko që ia veshim që t’i mbajë.

Ardit Gjebrea: Nëse do të dalë apo…

Mirela: Jo, vazhdimisht, edhe në shtëpi, por tani ia kam larë.

Arbër Hajdari: Nga djegia masive, lëkura është shkrirë dhe ia ka mbyllur gojën.

Vetëm kremrat që janë jetikë për 2-vjeçaren, kushtojnë 1000 euro në muaj. Arbër Hajdari i komunikon Mirelës se të dyja do të nisen për në Itali që të vijojnë  kurimin. Ndërsa ai e Gjebrea largohen, Arbri ndalon pranë skarës ku një vit më parë, Esma pësoi aksidentin e tmerrshëm.

Arbër Hajdari: Këtu ka ndodhur djegia  e Esmës. Është fiks kjo skarë dhe kjo është shtëpia, banesa e nënës së Mirelës dhe këta kanë dalë nga të dyja anët kur kanë parë vajzën që ishte totalisht një fëmijë i  marrë flakë, që nxirrte tym nga të gjitha anët. Në një krah kanë hedhur ujë, në një krah kanë marrë lecka  duke e mbuluar dhe në duart e tyre ngeleshin copa të lëkurës së vajzës dhe është vërtet një rast i jashtëzakonshëm për të treguar që edhe nëse ka një fije shpresë, duhet t’i shkojmë deri në fund.

“Armët” moderne kundër kancerit Hospital – “Kujdes shëndetin”

Jeta ç’njerëzore e Guries -“Ka një mesazh për ty”

Heshtja që dhemb, nëna pikëllohet për të birin: Lindi i mekur nga dajaku. As flet, as dëgjon 

Guria nuk mban mend asnjë ditë të bardhë në jetën e saj. Ajo vjen nga një familje me 6 fëmijë dhe është e madhja ndër motrat e vëllezërit. Ajo respektoi dëshirën e prindërve dhe u martua me mblesëri, por qe një bashkim shumë i vështirë.

Guria rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kërkesat e bashkëshortit për   t’u izoluar në shtëpi, shprehitë e tij të xhelozisë dhe ajo nuk kundërshtonte. Mbetej shpesh pa ngrënë, e uritur teksa në barkun e saj po rritej një qenie e re.


Gurie: Fillonte edhe dhuna. Do të shkoja të mbushja ujë. Pse nuk zure radhë e para ti, por zure e dyta? Do të shikosh përjashta ti? Më shtynte nëpër shkallë.

Ardit Gjebrea: Më fal, ishe shtatzënë dhe të shtynte nëpër shkallë?

Gurie: Po, më shtynte nëpër shkallë, më tha që ti do të shikosh përjashta prandaj nuk zure radhë e dyta, por ishin dy pallate, kishin dy çezma, uji një orë vinte. Detyrohesha i thosha plakës, pse kështu? Ja të keqen thoshte, do të bëhet me fëmijë e do të shtrohej.

Fëmija erdhi në jetë, por asgjë nuk ndryshoi. Madje me shtatzëninë e dytë, i cili ishte sërish një djalë,  gjërat përshkallëzuan.

Gurie: Mbeta shtatzënë me fëmijën e dytë. iI thashë që jam shtatzënë. Vajti e i tha së ëmës që nuk e ka me mua.

Ardit Gjebrea: Si, nuk e ka me mua?

Gurie: Jo, s’është imi. Si përfundim, shkonte shtatzënia, unë ndërpreva dhe punën se u mbyllën fermat. Dhuna psikologjike, e tmerrshme.

Ardit Gjebrea: Vetëm psikologjike apo edhe fizike?

Gurie: Edhe psikologjike, edhe fizike. Erdhi dita për të lindur. Bir i nënës thoshte ajo, çoje nusen të lindë. Jo, aty të vdesë, edhe nusja, edhe fëmija se nuk është imi. Është detyruar ime vjehrrë ka marrë një infermiere të lagjes, e kam lindur në shtëpi. Fëmija lindi i mekur vetëm nga dajaku. E ka emrin Romeo.

Ardit Gjebrea: Është në rregull fëmija apo…

Gurie: Jo, jo, nuk flet dhe nuk dëgjon. Të shikon në sy dhe nuk të thotë se çfarë i dhemb, nuk të thotë se  çfarë i hahet, pavarësisht se për atë fëmijë do të shkrij shpirtin e fundit, vetëm një peng i kam jetës,që nuk i kam dhënë shkollë, por isha në një botë të errët që nuk më mori njeri përdore të më thoshte hajde këtu se këtu është shkolla, t’ia japim fëmijës.

Ardit Gjebrea: Ai nuk kujdesej fare?

Gurie: Jo, jo, jo. Deri 6-muajsh nuk kuptohej, e mirëmbaja. Para se të lindja, thoshte shko hiqe, nuk e heq i thashë unë fëmijën, është peshqesh i Zotit, e dua fëmijën. Unë do të të vras, unë do të të bëj. Ikëm në Lushnje për ta hequr, qëllon motra, thotë çfarë doni këtu në lushnje? I thamë këtu-këtu, jo thotë motra,  në asnjë mënyrë se motra nuk i ka gëzuar duart që t’i mbushë me fëmijë. Thoshte do ta lindësh dhe do  ta rris unë. Me të vërtetë, m’i ka rritur. Është motër heroinë. Edhe gjakun e trupit të ma kërkojë ajo, unë ia jap.

“Nga shiu në breshër!” Tortura e ish-burrit thuajse i mori jetën: Më la të vdekur prapa shtëpisë

“Nga shiu në breshër.” Kështu e quan Guria martesën e saj të dytë, e cila qe po aq e dhunshme dhe e dhimbshme sa e para. Djalin e madh bashkëshorti s’ia pranoi në shtëpi dhe e la te prindërit, kurse i dyti,  Romeo, që nuk flet e dëgjon, qëndronte me të.

Mes lotësh, ajo rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se bashkëshorti i dytë nuk keqtrajtonte vetëm Gurien, por edhe Romeon. Ajo numëron herët kur e kapte thuajse duke e mbytur, përplasur derisa një ditë, edhe ajo vetë thuajse vdiq nga dhuna çnjerëzore.


Gurie: Më pikonte fëmija, sa herë që do të dilte nga mbrapa shtëpisë, do ta gjente Romeon, e merrte kështu, ku ta përplaste, te cepat e ballkonit, ka gjithë ato të çara…

Ardit Gjebrea: Ç’i bëri Romeo atij?

Gurie: Le të ngrihet në këmbë thoshte, është 4 vjeç, kur do të ecë në këmbë ky? Kur t’i  vijë për t’u ngritur. Pasi filloi të ngrihej në këmbë, e tërhoqi ky i vogli pastaj. U ngrit djali.

Ardit Gjebrea: Pra, fëmijën e madh ta përzuri.

Gurie: Po, te mami im.

Ardit Gjebrea: Këtë të dytin…

Gurie: Torturë!

Ardit Gjebrea: Ti bëre një fëmijë me të?

Gurie: E  bëra se hë… gabim nuk i them se shyqyr Zotit, por… truri në një farë momenti nga vuajtjet, të  ndalon.

Ardit Gjebrea: Por u ndave të paktën nga ky?

Gurie: Po.

Ardit Gjebrea: U ndave.

Gurie: Ndarja ime ka qenë tragjike, me grushta.

Ardit Gjebrea: Pse?

Gurie: Më ka lënë të vdekur prapa shtëpisë.

Ardit Gjebrea: Kaq shumë të goditi?

Gurie: Kaloi një grua aty që vinte gjithmonë, lëre bir i nënës, pse e vret bijën e huaj, ajo gjynah nga Zoti, lëre çoje tek e ëma.

Pas ndarjes, Guria u kthye sërish te prindërit ku u përball me mentalitetin. Nga aty, e ndihmoi e motra për të ardhur në Tiranë duke i gjetur punë në një “fast-food”. Nga ajo periudhë, Guria mban mend një moment aspak të lehtë kur fëmijët që dilnin për të mbledhur kanoçe, pësuan aksident.

“Kur vij në shtëpi, i gjej fëmijët e fashuar. Romeo te gjuri, e kishte marrë një motorr te “21”-shi, i kishte marrë zvarrë. I kishte ndaluar një çift që i kishte çuar në spital, i kishte mjekuar dhe në shtëpi”.

Pamundësia ekonomike e detyroi Gurien që bashkë me djalin e madh 13-vjeçar, Aleksin, të largohej drejt Greqisë përmes maleve. 5 net udhëtoi, punoi në Thasos për njëfarë kohe atje derisa u zbuluan nga policia dhe qëndruan në burg për 1 muaj e gjysmë.

“Njërin djalë s’e pashë 10 vjet, tjetri pësoi aksident”, Guria numëron fatkeqësitë

Furtuna të njëpasnjëshme, pa e lënë asnjë ditë të marrë frymë e të jetojë e qetë. Jeta e Guries, për të cilën ajo rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, është si një film i dhimbshëm,  ku pret për  një moment  të  lumtur që s’vjen asnjëherë.

Dy martesa të dhunshme, tre fëmijë që i ka rritur e vetme, njëri  prej tyre pa mundur të flasë e të dëgjojë, por edhe pa qenë dot pranë tyre plotësisht sepse i duhej t’u siguronte jetesën. Dy herë e  kapën në Greqi dhe e kthyen, por Guria vendosi të shkonte edhe herën e tretë. Ai do të ishte qëndrimi më i gjatë, i cili e la 10  vite pa takuar djalin e vogël.

Fatkeqësitë do të vijonin. Kur u kthye në Shqipëri, i grabitën shtëpinë që e kishte blerë e mobiluar me aq  mund e gjak. Më pas, djali i madh pësoi një aksident që ia tronditi themelet.


Ardit Gjebrea: Sa vite ke punuar gjithsej në Greqi?

Gurie: Zëre se gjithë jetën, që në 2003. Fillova pastaj punë, kam ndenjur 10 vjet pa ardhur në Shqipëri.

Ardit Gjebrea: 10 vite nuk ke ardhur në Shqipëri?

Gurie: Jo, e lashë çunin e vogël 9-10 vjeç, ma ka prurë motra në Greqi 19 vjeç.

Ardit Gjebrea: 10  vjet nuk e pe fare çunin?

Gurie: Jo. Punoja.

Ardit Gjebrea: Po kur të erdhi 19 vjeç, çfarë ndodhi?

Gurie: Nuk më njihte. Ma ka ngritur flokun këtu që më ka njohur nga nishani. Ndenja pastaj në Shqipëri.  Në 2012-2013 katastrofa më e madhe. Më bastisën shtëpinë, s’më  lanë gjë pa vjedhur, më hapën shtëpinë. I solla të gjitha gjërat..

Ardit Gjebrea: Pra, solle të gjitha gjërat, me para, me të gjitha, t’u futën hajdutët, të vodhën dhe s’të lanë gjë. A ke parë ndonjë ditë të bardhë në jetën tënde?

Gurie: Jo!

Ardit Gjebrea: Çfarë ka ndodhur?

Gurie: Djali i madh më bëri aksident me motorr. 6 muaj, kam hequr 3 operacione. 6 muaj kam fjetur te Trauma,  i ka thënë doktorit Erion Qato, e përshëndes, amanet djalin se një e kam që më shikon në sy dhe nuk më kërkon asgjë, mos ta  kem edhe këtë, të kem një mbështetje te ky. Zot shyqyr, i lutem Zotit,   çalon pak tani, por me vuajtjet e mia, me sakrifica, ia dola. U ngrit çuni në këmbë.

Minerali i çmuar që po ndan vëllezërit – “Shihemi në Gjyq”

Zhduken 2 milionë e 260 mijë dollarë! Mehmetit i erren sytë, sulmon vëllain me shishen e ujit

Mehmeti ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, vëllanë  e tij, Rexhepin. Në insertin prezantues, kuptohet që konflikti mes dy vëllezërve nga Hasi qëndron te paratë. Shuma nuk bëhet e ditur ende, por Mehmeti shprehet se nuk fal asnjë qindarkë.

“Leku  është me shpirtin. Unë nuk ia fal lekët as vëllait që e kam vëlla, por edhe ata që m’i kanë marrë, unë nuk ia fal askujt lekun. Unë dua lekët e mia, është djersa ime, djersa e anëtarëve të mi që kemi punuar disa vjet.”

Rexhepi pretendon se nuk ka borxhe ndaj vëllezërve, madje ka bërë edhe burg për ta. Ai zotohet se do ta mbrojë veten deri në fund.

“Unë para ndershmërisë sime nuk vë as vëllezër, as fëmijë, asgjë në botë, vetëm fytyrën time do ta mbroj deri në fund, deri në vdekje për arsye se unë çdo gjë e kam me fakte, me prova. Jo vetëm që nuk iu kam  borxh vëllezërve të mi, por kam bërë edhe burg për ta!’

Kur të dy vëllezërit gjenden përballë në studio, nisin të fyejnë e ofendojnë njëri-tjetrin. Rexhepi thotë se Mehmeti “ka bërë injorancën më të madhe” që ka kërkuar të ballafaqohen publikisht. Sipas tij, ai ka ndërtuar një firmë ku punonin 4 vëllezërit dhe shuma për të cilën bëhet fjalë është marramendëse, 2  milionë e 260 mijë dollarë.


Rexhep: Unë nuk u kam gjë borxh këtyre zotërinjve. Unë ndërtova  një firmë  për të punuar të gjithë së bashku. Arsyeja ishte që këta…

Eni Çobani: Kush të gjithë së bashku? Sqaroje një çikë publikun!

Rexhep: Jemi 4 vëllezër.

Eni Çobani: Ti tani ke marrë të gjitha shumat e parave o  zotëri dhe  s’u ke dhënë gjysmë leku këtyre, të lutem!

Rexhep: Aty bëhet fjalë për 2 milionë e 260 mijë dollarë.

Eni Çobani: Po ku i gjetët ju në majë të Hasit atje?

Rexhep: Kam fakte dhe prova se nga më ka ardhur burimi i lekëve.

Eni Çobani: Pra flasim për 2 milionë….

Rexhep: E 260 mijë dollarë, ta marrë vesh gjithë publiku! Unë kam hyrë borxh edhe nëpër njerëz të mitë, miq dhe shokë për të arritur t’i nxjerr nga gropa!

Mehmet: 2 milionë e 200 mijë i di, por 400 mijë dollarëshin që ke  kaluar në bankë, more i pafytyrë! Ku i çove?

Rexhep: I ka kaluar banka ato!

Sipas Rexhepit, këto para kanë ardhur nga miniera e kromit për të cilën ata kanë një leje zhvillimi.  Mehmeti e akuzon se ka marrë para nga shoqëria duke ‘i përplasur’ edhe dokumentet fytyrës.

Mehmet: Ore i pafytyrë! Këqyre kinezi, se e ke firmosur vetë letrën, 480 mijë dollarë!

Rexhep: Lëri more letrat!

Mehmet: 400 mijë dollarë! Ku është një bankë e madhe që t’i merr ty 400 mijë dollarë!

Rexhep: Po i ka marrë se ke dëshmitarë, nëse gjen firmën…

Mehmet: Shiko ku i ke 400 mijë dollarë! Shiko ku e ka firmosur vetë!

Rexhep: Unë kam kontratat e shitjes!

Mehmet: I ka vulosur herë të parë, të dytë, të tretë, po bankën?

Eni Çobani: Keni 4 deklarata noteriale…

Rexhep: Janë deklaratat e shitjes që kam bërë unë me subjektet!

Eni Çobani: Po ore po, të kuptoj! Ore, je Rexhep Dauti ti? E ke vënë vulën këtu me firmë? Po, shumë bukur, këtë solli vëllai!

Mehmet: E ka futur përqindjen, shihe…

Eni Çobani: Do ju lutem të shkoni se nuk ju kap kamera….

Mehmet: Ia ka dhënë drejtorit të ATSH-së, Ilir Zhilla, 15%, nuk na ka pyetur, ia dha indianit, a morën edhe indianët dhe ne hajt, me të huajt… por ky palaço, unë e kam prurë këtu t’i kërkoj 1 milionë e 200 mijë dollarëshin o shok!

Rexhep: Ore zotëri janë 2 milionë e 200 mijë dollarë!

Mehmet: Se ty do të të përplas!

Mehmeti i vërvit vëllait shishen e ujit, por fatmirësisht nuk e godet. Ai paralajmërohet nga Eni Çobani që   nëse do të vazhdojë me sjelljen e tij, seanca do të ndërpritet.

‘Avullojnë’ 400 mijë dollarë, dyshimet rëndojnë mbi Rexhepin/ Çobani zbulon ç’ka ndodhur

Mehmeti dhe Rexhepi, dy vëllezërit nga Hasi konfliktohet në “Shihemi në Gjyq” për miliona dollarë,  shumë që në rubrikën e  së “Dielë Shqiptare” në Tv Klan përmendet për herë të parë. Ata operojnë si shoqëri tregtare që shfrytëzojnë nëntokën e pasur të zonës duke  punuar mineralin e kromit.

Në firmë kanë punuar 4 vëllezërit, duke lënë Rexhepin si administrator, por prej vitit 2009-2010 nuk punojnë më. Në import-eksportin e fundit me dy firma të mëdha, një kineze dhe një indiane, është firmosur një transaksion bankar ku Rexhepi i janë kaluar fillimisht 400 mijë dollarë dhe duhet të merrte edhe 862 mijë dollarë. Gjithseej bëhet fjalë për 1 milionë e 260 mijë dollarë.

Por çfarë ka ndodhur me paratë? 400 mijë dollarët janë kaluar në bankë, por sot rezultojnë në një shoqëri tjetër. Banka thotë se nuk i tërheq mbrapsht, kurse shoqëria së cilës i kanë kaluar paratë, pranon se nuk janë të sajat, por as i ka kthyer. Mehmeti ka dyshime ndaj të vëllait për këto para dhe kjo ka sjellë përçarje në familje.


Eni Çobani: 400 mijë nga kjo shoqëri kanë kaluar në bankë dhe pretendohet që ky zotëria ka firmosur  për futjen e kësaj paraje si administrator. Çfarë ndodh se kjo nuk po kuptohet dhe Mehmeti këtë po thotë; kjo shumë sot në këtë bankë në emër të Rexhepit është e ikur në një shoqëri tjetër, pra 400 mijëshi  nuk më në emër të Rexhep Dautit dhe Rexhepi thotë “o vëllezër, ore nuk e kam firmosur unë, ore m’i kanë marrë lekët atje, banka ka bërë një transaksion të gabuar, nuk është firma ime dhe që në vitin 2011, jemi sot në 2025, akoma nuk është  vërtetuar plotësisht dhe përfundimisht që firma e hedhur në transaksionin bankar nga Rexhep Dauti një firmë tjetër në bankë të jetë e Rexhep Dautit.

Ardit Gjebrea: Po paratë ku janë?

Eni Çobani: Paratë kanë ikur. Paratë kanë ikur në një firmë tjetër dhe i thonë që ti i ke kaluar vetë.  Ngrihet tani firma që ka marrë  paratë sepse meqenëse paratë shkuan diku, atëherë është thirrur edhe firma tjetër.

Ardit Gjebrea: Por shkuan për cilin motiv?

Eni Çobani: Po pra, firma tjetër çfarë thotë, nuk i njoh këta, paratë nuk janë të miat.

Ardit Gjebrea: Po ku janë këto para?

Eni Çobani: Atëherë, çfarë thotë banka? Transaksioni është bërë, unë nuk i tërheq mbrapsht dhe ti i ke çuar vetë atje.

Ardit Gjebrea: Një minutë, këto para kanë shkuar te një firmë që thotë nuk janë të miat.

Eni Çobani: Jo, thotë Rexhepi.

Ardit Gjebrea: Po firma i ktheu mbrapsht paratë?

Eni Çobani: Jo.

Ardit Gjebrea: Në qoftë se thua s’janë të miat, si nuk i kthen mbrapsht? S’më bën sens kjo gjë.

“Bëre gabim që më solle këtu!” Rexhepit s’i del inati me vëllain, Çobani s’duron më…

Rexhepi vazhdon t’i qëndrojë fjalëve që i tha të vëllait, Mehmetit, sapo hynë në studion e “Shihemi në Gjyq” ku i kërkoi llogari pse e kishte sjellë. Në pjesën e dytë të rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ai ngulmon se Mehmeti “ka bërë gabimin më të madh” sepse e di që ka kaluar humbjen e parave, vuajtjen e dënimit me burg dhe tani, edhe problemet  me familjarët.

Përsëritja e vazhdueshme e këtyre fjalëve nxit Eni Çobanin që t’i kthejë përgjigje se kjo përballje është vetëm për të thënë të vërtetën e kësaj historie.


Rexhep: Ky ka bërë gabimin më të madh që më ka sjellë këtu! Kaq di! Ky ka bërë gabim!

Eni Çobani: Pse ka bërë gabim? Për çfarë?  Se do të tregosh ti të vërtetën? Do të tregosh të vërtetën o zotëri, ku i ke çuar 400 mijë euro? Pse ka bërë gabim? Pse i thua atij që ke bërë gabim? Për çfarë?

Rexhep: Se e di se çfarë kolposh kam ngrënë!

Eni Çobani: A po thua të vërtetën ti?

Rexhep: Unë po them të vërtetën.

Eni Çobani: Atëherë pse ke frikë nga e vërteta?  Dhe ne të vërtetën themi! I kam thënë çdo shqiptari: kush e ka të vërtetën me vete, të vijë dhe të flasë publikisht! Nuk ka frikë nga e vërteta! Thoni vetëm të vërtetën se e vërteta ju shpëton, kaq!

Mehmet: Kjo zonjë e nderuar që është 20 vjet këtu, të kam prurë te një njeri që di edhe ligjin, edhe kanunin, edhe drejtësinë…

Eni Çobani: Patjetër që i di, por nuk e zgjidhim me kanun këtë!

Mehmet: Edhe Ardit Gjebrean e njohin publikisht, s’kam ardhur as të të vras, as të të pres!

Rexhep: Kam ngrënë me burg, me humbje lekësh, edhe humbjen e fisit tani!

Duke  e siguruar Rexhepin se pretendimet e tij që nuk i ka tërhequr ai 400 mijë dollarët, do të vërtetohen, ndërmjetësja i shpjegon se kërkesa e Mehmetit për përballjen e tyre ka tjetër motiv nga ç’ mendon ai: “Ky zotëri që ka  ardhur dhe është paraqitur këtu, nuk është paraqitur se do Eni Çobanin. Ai do drejtësinë për të cilën flet Eni Çobani!”

ALBAN SHINGJERGJI -“Të Panjohurit”

/tvklan.al