E Diela Shqiptare, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare, vjen çdo të diel. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim live. Struktura e programit: “Ka një mesazh për ty”, “Quiz me 5 Yje”, “Të panjohurit”, “Kujdes shëndetin”, “Telebingo shqiptare”, “Shihemi në gjyq”, “Power Kidz”, etj. Ndërsa që prej vitit 2003, bashkëprodhon me Klan festivalin më prestigjioz të muzikës moderne shqiptare, “Kënga Magjike”, live nga Pallati i Kongreseve.
Plaga e emigrimit, historia e Mirelës: Babain e njoha kur isha 8 vjeçe, dridhesha kur ia mbaja dorën
Mirela vjen nga Këlni i Gjermanisë, pikërisht në vendin ku ndodhet një nga katedralet më të bukura të Europës, por para se të vendosej atje, jeta s’ka qenë shumë e lehtë. Që në fëmijëri, nëna u detyrua ta linte te prindërit e saj dhe motra për shkak se i duhej të punonte. Mirela la qytetin e Kukësit për të jetuar në fshat, por nuk mungonte vetëm nëna.
Vështirësitë ekonomike kishin bërë që edhe babai i Mirelës të emigronte, por kostoja qe e lartë. Në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Mirela tregon se babain e njohu kur ishte 8 vjeçe.
Mirela: Babin e kishim në Gjermani. Kishte ikur që në ’93 me një firmë ndërtimi. Kjo ishte arsyeja pse mamit iu desh të punonte atëherë dhe të më rrisnin gjyshërit. Në ’97 ai erdhi në Shqipëri që të na takonte për Vit të Ri sepse ne nuk e njihnim, edhe telefonë atëherë nuk kishte, shkonim te posta se s’kishim telefon në shtëpi, qëndronim atje për orë të tëra derisa të krijohej një lidhje, ndonjëherë s’krijohej fare.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç e njohe babin ti?
Mirela: Në ‘97 isha 8 vjeç.
Ardit Gjebrea: Deri 8 vjeçe ti nuk kishe lidhje me babin?
Mirela: Fare, vetëm pas telefonatës. Na dërgonte fotografi normalisht.
Ardit Gjebrea: Po kështu, fizikisht nuk e kishe takuar?
Mirela: Fare.
Ardit Gjebrea: Vetëm 8 vjeçe e takove?
Mirela: Po.
Ardit Gjebrea: Po si ishte të rriteshe me gjyshër, me gjyshin, me gjyshen?
Mirela: Unë e kam përjetuar shumë bukur sepse atje në fshat ishte një jetë shumë modeste, shumë e lirshme, jo si në qytet, në Kukës.
Ardit Gjebrea: Ndoshta u thërrisje atyre “mami, babi”, apo “gjyshi, nëna”?
Mirela: Nuk e mbaj mend, besoj se jo. E dija që ishin gjyshërit.
Ardit Gjebrea: Po kur erdhi babi, cili ishte impakti i parë?
Mirela: E njihja në fotografi, por isha e ndrojtur, nuk e di. Dridhesha kur ia mbaja dorën, më dukej si një njeri… e dija që është babi im, por…
Ardit Gjebrea: Por nuk e ndieje.
Mirela: Nuk e ndieja.
Gjeti nënën tek ajo, lidhja që s’e theu dot koha e largësia: Tezja, njeriu më i rëndësishëm i jetës sime
Fëmijëria e Mirelës ka qenë ndryshe nga pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të saj. Të detyruar nga rrethanat ekonomike, prindërit sakrifikonin shumë. Babai ndodhej në emigrim në Gjermani dhe siç ajo tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e njohu kur ishte 8 vjeçe.
Nëna, pasi e kishte sjellë në jetë, duhej të punonte për të siguruar jetesën dhe e la Mirelën te prindërit e motra e saj në një fshat të Kukësit. Nga ai vend Mirela ruan kujtime të bukura e shumë dashuri, edhe pse prindërit nuk i kishte pranë. Në krahun e saj gjendeshin gjyshërit, por edhe më pranë, tezja Bedrie. Nëse thonë shpesh që tezja është një figurë po aq e afërt sa nëna, për Mirelën u kthye në pikën e dobët.
Mirela: Bënim gjithçka bashkë. Bënim punët, nuk e di. Ajo është njeri shumë i butë, sjell shumë dashuri, nuk të qorton, nuk është shumë e rreptë. Unë e njihja mamin pak më të rreptë se gocë, vajza e parë dhe normalisht si nënat shqiptare që duan të kujdesen.
Ardit Gjebrea: Tani, kur thua që tezja ishte e butë, e mirë, e krahason me mamin?
Mirela: Jo, nuk e krahasoj, thjesht e ndieja ndryshe se ajo kishte përgjegjësi tjetër, normalisht.
Ardit Gjebrea: Më lejo të të bëj një pyetje delikate: u lidhe më shumë me tezen apo me mamin?
Mirela: Më shumë me tezen u lidha.
Ardit Gjebrea: Se këtë po ndiej nga ‘vibe’ që po më jep.
Mirela: Po sepse mami punonte dhe lidhja në fëmijëri ndodh, pa i vënë faj tani. Unë u rrita atje, u rrita me tezen, çdo gjë e kalova aty, fëmijërinë më të madhe, kujtimet më të mëdha, punët i ndanim bashkë, për çdo gjë flisnim, qeshnim, kërcenim, çdo gjë dhe me mamin më mungoi kjo pjesë, nuk e kalova me të.
Pas disa kohësh dhe dy përpjekjesh, Mirela u largua me familjen në Gjermani. Një fillim shumë i vështirë, ku ajo tregon për sfidën e të ndjerit vetëm. Do të kalonin plot tetë vjet derisa të siguronin dokumentet dhe më në fund të ktheheshin në Shqipëri. Malli ishte i madh, sidomos për të takuar teze Bedrien, që është edhe arsyeja e ardhjes së Mirelës në program.
Mirela: Kam ardhur për teze Bedrien sepse ajo është shumë e rëndësishme për mua, është personi më i rëndësishëm i jetës sime. Më ka ndihmuar shumë, edhe në fëmijëri, siç të tregova qëparë që unë isha mbyllur atje në vetvete dhe raporti me mamin ishte i mirë, por jo si me teze Bedrien se isha shumë shoqe dhe më mungonte të flisja, kishte një moment që nuk e ndieja veten mirë, që isha e plotësuar, s’doja të bëja gabime, mendoja unë. Nuk doja të jetoja më atje të them të drejtën, nuk doja të jetoja fare më. Mbaj mend që teze Bedrien e mora në telefon për të folur me të dhe më dha shumë forcë, shumë kurajë dhe më tha që “ne të duam shumë, edhe mami gjithashtu.” Ka qenë mbështetëse për çdo gjë. Më dha një këndvështrim të situatës në të cilën gjendesha, ta shikoja ndryshe që vërtet isha e rëndësishme, por thjesht kisha një moment që e humba.
Një vit i vështirë ishte 2021 kur pasi kishte mposhtur dy herë kancerin, Bedria u sëmur rëndë gjatë periudhës së koronavirusit.
Mirela: Në 2021, teze Bedria vetë ka qenë sëmurë, me kancer, dy herë dhe është një grua shumë e fortë. Vetë nuk ka fëmijë, na ka rritur neve dhe e kaloi këtë. Krahun e ka keq, në fakt i ka ngelur edemë, nuk mund të punojë më, ndihmë nga shteti nuk ka këtu në Shqipëri, nuk është si jashtë. Për shkak të kancerit, nuk ishin bërë 5 vjet që ajo në kohën e koronës u sëmur në mars, jashtëzakonisht shumë keq. Ka qenë me maskë oksigjeni në shtëpi, nuk dilte, çdo gjë filloi nga fillimi prapë, të mësonte të ecte madje, as nuk fliste, nuk kishte zë.
Ai vit ishte sfidues edhe për Mirelën që sapo ishte bërë nënë. Pas lindjes së vajzës, edhe ajo u sëmur dhe pranë iu gjend teze Bedria, e gatshme për të sakrifikuar.
Mirela: Kur linda unë, më shkoi lindja shumë keq. Në Gjermani mjekët bënë një gabim. Isha për lindje natyrale dhe nuk eci mirë, u desh të më operonin pastaj. Nuk e kuptoja vetë që isha aq keq, nuk e ndieja. Rezultatet që i çoja tezes që ishte infermiere, më thoshte “nuk je mirë, nuk je për atë spital, lëshoje, dil.” Këtë vendim e morën tezet duke folur me njëra-tjetrën dhe erdhi teze Bedria, sakrifikoi prapë për mua, erdhi në Gjermani. Unë dola nga ai spital se aty nuk isha mirë, nuk e gjetën arsyen pse po rritej infeksioni. Ia lashë tezes gocën time dyjavëshe. Ajo sakrifikoi, la burrin, edhe vetë nuk ishte aq mirë, erdhi atje, qëndroi për dy muaj derisa unë e kalova. Jam shumë mirënjohëse kundrejt saj.
Për gruan që dha gjithçka pa pritur asgjë, mesazhi i dashurisë pa kushte
Për Mirelën, gruaja që e ka sjellë në jetë ka vendin e saj, por ajo që e ka rritur është njeriu më i rëndësishëm, siç e quan ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. tezja Bedrie është figura me të cilën Mirela ka një lidhje të veçantë, si shoqe, si nënë, si personin që i ka mësuar gjithçka e i ka dhënë forcë.
Tezja e ka rritur, i është gjendur pranë në çdo moment, edhe kur i ndanin kilometra. Bedria e ka ndihmuar në momente të vështira duke harruar edhe problemet e saj shëndetësore. Kur sheh mbesën në ekran, tezja thotë se në të vërtetë vendet duhet të ishin ndërruar, por Mirela mendon të kundërtën. Dashuria e tyre e pakushtëzuar sjell një mesazh të vërtetë e të fortë për marrëdhëniet njerëzore.
Mirela: Unë të jam shumë mirënjohëse ty se ti për mua nuk ke qenë vetëm një teze, por ke qenë një nënë. Nuk është nënë vetëm ajo që lind fëmijë, por edhe ajo që i rrit. Ti më ke rritur mua me aq dashuri, me mbështetje, më ke ndenjur gjithnjë afër edhe për vajzën se ishe vetë keq se kalove koronën dhe çdo gjë tjetër që ke kaluar, je shumë grua e fortë dhe të kemi marrë shembull.
Bedrie: Pa ju unë nuk isha e fortë. Mbështetja juaj, ndaj jam këtu.
Mirela: Edhe ne për ty, ti nuk e sheh këtë pjesë, por na ke dhënë shumë forcë.
Bedrie: Çfarë keni bërë ju për mua… kjo është surpriza më e madhe, më e mirë që më keni bërë, por ju ishit për këtu!
Ardit Gjebrea: Ky mesazh është shumë i rëndësishëm sepse nuk është thjesht ajo që ju i jepni njëra-tjetrës, pra “Ka Një Mesazh Për Ty”, është pak më shumë, “Ka Një Mesazh Për Ju.” Nga kjo marrëdhënie çfarë kuptojmë? Ka njerëz të cilët llogarisin vetëm çfarë marrin, ndërsa shembulli i tezes është që nuk sheh se çfarë jep, por shikon se çfarë merr dhe nuk e llogarit atë që jep. Ndërkohë që në jetë ka shumë njerëz të cilët thonë që unë kam dhënë pafund dhe çfarë kam marrë, asgjë, prandaj dua vetëm të marr, ndërkohë ka njerëz që japin pafund, nuk llogarisin se çfarë marrin sepse është e rëndësishme se çfarë jep në jetë dhe ajo që merr, vjen vetë dhe unë them gjithmonë, vjen nga Zoti.
/tvklan.al












Botërori 2026 