Bashkia e Tiranës i ndezi gjatë ditës disa nga zbukurimet që ka vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Por si për t’i kujtuar asaj se është me shumë vonesë, rrugët e tjera, ajo e Durrësit, e Kavajës, Rruga e Elbasanit, Sheshi Skënderbej, janë njësoj si çdo ditë tjetër të vitit, pa dekor.
Ashtu si në Tiranë, edhe shumë qytete të tjera të vendit po hyjnë në dhjetor me të njëjtën atmosferë të zymtë. Në Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Elbasan, Fier e Gjirokastër e shumë qytete të tjera, hapësirat publike mbeten të zymta, pa gjallërinë që jemi mësuar të shohim në këtë periudhë të vitit.
Në Gjirokastër, tradita e ndezjes së dritave mbahet çdo vit më 6 dhjetor. Dekorimet zakonisht vendosen në fund të nëntorit, por këtë vit procesi ka qenë i ngadaltë dhe qyteti vijon të duket i zbehtë.
Në Durrës, dekori festiv është vendosur pjesërisht në sheshet dhe rrugët kryesore, por dritat nuk janë ndezur ende të gjitha. Sipas traditës, edhe këtu sezoni i festave hapet më 6 dhjetor, çka do të thotë se qyteti është ende pa atmosferë.
Në Fier dhe Lushnjë janë vendosur vetëm flamujt për festat e 28-29 Nëntorit. Dekorimet festive, edhe kur vendosen, kufizohen vetëm në sheshet qendrore pranë bashkive. Rrugët e tjera nuk kanë ndriçim festiv dhe, sipas banorëve, nuk kanë pasur asnjëherë.
E njëjta pamje paraqitet edhe në Shkodër, Elbasan e Korçë, ku ndriçimi festiv mungon krejtësisht. Qytetet mbeten pa zbukurime dhe pa drita, pavarësisht se muajt e festave tashmë kanë nisur.
Atmosfera festive në shumë vende fillon që në fund të nëntorit. Ndërsa në Shqipëri, si kryeqyteti, ashtu edhe qytetet e tjera nuk reflektojnë energjinë dhe ngrohtësinë që japin festat e fundvitit. Në mungesë të dekorimeve dhe dritave, dhjetori po hyn me një pamje të zymtë, pa shkëlqimin që tradicionalisht shoqëron këtë periudhë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 