Në fshatin Moravë të Beratit, nxënësit e shkollës “Shaban Sollaku” dhe fëmijët e kopshtit detyrohen të përshkojnë më shumë se 2 kilometra në këmbë për të shkuar në shkollë.

Në mungesë të transportit dhe të kompensimit të shpenzimeve të rrugës, prindërit janë të detyruar të lënë punën për të shoqëruar dhe marrë fëmijët çdo ditë.

Grupi ynë i xhirimit iu bashkua nxënësve në rrugën që ata përshkojnë për në shkollë, për të parë nga afër vështirësitë dhe rreziqet me të cilat përballen.

Drejtori i shkollës, Durim Myftaraj, pranon se prindërit kanë të drejtë dhe thotë se është dërguar kërkesa me emrat e nxënësve për kompensimin e transportit. Edhe ZVA Berat konfirmon se procedurat kanë nisur, por pagesa e rimbursimit nuk mund të kryhet pa miratimin e linjës nga Këshilli Bashkiak.

Ndërkohë, drejtoresha e Arsimit në Bashkinë Berat, Klodiana Hoxha, bën me dije se janë kryer matjet nga urbanistika dhe po përgatitet relacioni për Këshillin Bashkiak. Sipas saj, linja pritet të miratohet në mbledhjen e radhës, në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit.

ZVA Berat sqaron se kompensimi do të përfshijë periudhën që nga dita e parë e fillimit të vitit shkollor.

ZVA Berat: E kemi çuar si kërkesë për miratim, sepse është linjë e pamiratuar nga Këshilli Bashkiak dhe, për sa kohë është linjë e pamiratuar, ne nuk mund të bëjmë pagesën për rimbursimin e transportit.

Gazetarja: Do të kemi kompensim edhe për këtë periudhë që ka kaluar?

ZVA Berat: Nga dita e parë e fillimit të shkollës deri tani.

/tvklan.al