Në një kohë kur shpesh lajmet dominohen nga ngjarje të rënda apo konflikte, lind natyrshëm pyetja nëse mirësia dhe empatia mes njerëzve janë ende të pranishme në jetën e përditshme.

Përtej zhurmës së lajmeve negative, realiteti tregon se mirësia mes njerëve nuk është zhdukur, përkundrazi, ajo shfaqet në mënyra të heshtura, përmes gjesteve të vogla por që kanë një ndikim të madh tek ata që i përjetojnë.

Në këtë kuadër, në emisionin “Shije Shtëpie”, këtë të mërkurë, më 24 qershor, ishte e ftuar 25-vjeçarja Sona Dauti e cila rrëfeu një histori të pazakontë por me vlerë të rëndësishme.

Dauti rrëfeu se përvjetorin e 25-të të ditëlindjes së saj kishte zgjedhur ta festonte përpos me familjen edhe shoqërinë edhe me zotërinjtë e një prej Shtëpive të të Moshuarve, si një ide që i kishte ardhur natyrshëm edhe falë dhembshurisë që ajo ndjen për moshën e tretë.

“Bëra një festë shumë të madhe sepse ideja ishte që mos të festoja vetëm unë, por të festonim të gjithë dhe meqë ishte 25-vjetor ta mbaja pak mend. Në familjen time ka qenë gjithmonë ligj respekti për të mëdhenjtë dhe jam rritur me traditat shqiptare. Kam lexuar që ata nuk dalin shumë, kështu që thashë më mirë, po i marr, po dalim dhe po festojmë të gjithë bashkë.”

Ajo rrëfeu se ishte hera e parë që vizitonte “Shtëpinë e të Moshuarve” dhe se përmes ftesës që bëri me anë të drejtoreshës, u bë e mundur që të moshuarit të merrnin pjesë në gëzimin e saj.

“Thashë t’ju mundësoja një ditë ndryshe, se ndoshta gjithë jetën nuk ua ndryshoj dot dhe nuk i bëj dot të lumtur përditë, por atë ditë po edhe pas asaj dite kam krijuar edhe lidhje me dy ose tri zonja, të cilat i kam vizituar edhe më pas.”

Në fillim, 25-vjeçarja ishte e rezervuar për publikimin e kësaj ngjarjeje të veçantë në jetën e saj, por më pas ndryshoi mendje, e bindur nga impakti pozitiv që media dhe rrjetet sociale mund të kenë në frymëzimin e të tjerëve.

“Mediat mbizotërohen sot nga lajmet negative dhe sikur i ndikojnë shumë njerëzit negativisht, po kjo nuk është jeta dhe përditshmëria që ne jetojmë. Ndaj vendosa ta publikoja dhe mora shumë pozitivitet dhe shumë njerëz më pyetën sesi më ka shkuar mendja. Pas ditëlindjes time, kam parë dhe nja dy persona të tjerë që e kanë bërë të njëjtën gjë. Nuk e di a janë ndikuar apo jo, por të paktën vetëm dikush të jetë ndikuar ka bërë shumë mirë.”

Dauti pohoi se, edhe pse disa individë mund të mendojnë se mirësia duhet të mbetet e heshtur, ajo beson se empatia mësohet dhe përhapet pikërisht përmes shembujve që njerëzit shohin dhe që i frymëzojnë të veprojnë njejtë.

/tvklan.al