Blerta Kllokoqi Rugova, nusja e djalit të Ibrahim Rugovës ishte e ftuara e Kryeministrit Rama në podkastin “Flasim”.

Në një rrëfim ndryshe e reja e Rugovës, e cila nuk e njohu personalisht Presidentin Ibrahim Rugova, s’e fshehu aspak ambicien për t’u marrë me politikë, duke bërë edhe sugjerime për klasën aktuale politike në Prishtinë.

“Duhet të mos prishim raportet sidomos me miqtë tanë ndërkombëtarë, është frikë që po ndihet te shqiptarët e Kosovës. Zhvillimet e fundit po i shohim me sy shumë kritik, sidomos kritikat që po vijnë nga SHBA”, tha ajo.

Qëndrim të cilin e përforcoi edhe Kryeministri Rama, duke i dërguar një mesazh ndonëse nuk ia përmendi emrin Albin Kurtit.

“Jemi shumë të vegjël për të fjetur të qetë nëse nuk kemi miq të mëdhenj. Është një parakusht absolut për çdo vend të vogël, pavarësisht kontekstit dhe pozicionit në të cilin ndodhet, që të ketë miq”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit Rama bërja dhe mbajtja e miqve në kushtet e një vendi të vogël si Shqipëria apo Kosova është një parakusht për të cilin duhet të punojë çdokush që ka në dorë marrëdhëniet ndërkombëtare.

Tv Klan