I ftuar në emisionin “Historia ime” ka qenë shkrimtari dhe poeti i njohur Skënder Sherifi i cili jeton në Belgjikë, por ka krijuar rrënjë të forta edhe në Shqipëri me veprat e tij. Ata që e njohin poetin, njohin gjithashtu edhe lidhjen shpirtërore që ka pasur me presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në vitin 1976, Ibrahim Rugova ka përkthyer në gjuhën shqipe 2 prej librave të Skënder Sherifit dhe i ka botuar në Kosovë. Sherifi ka treguar si është njohur me Ibrahimin dhe pse e quan atë një vëlla shpirtëror.

Skënder Sherifi: Ai njeri ka qenë për mua një vëlla shpirtëror, një njeri i madh, një humanist i paparë. Kur kam qenë një herë në Prishtinë, Rugova më pyet a ke diçka të shkruar në frëngjisht? I lexoi disa tekste të miat dhe tha është një poezi me të gjitha rrymat franceze, me të gjitha shkollat e artit të shekullit XX.

Ti je shqiptar, këto janë shkruar frëngjisht dhe në Prishtinë nuk kanë kaluar këto rryma, ti je jashtë kodeve dhe jashtë logjikës sonë, je trashëgimtar i rilindjes kombëtare, romantizmit, eposit nacional, rapsodisë etj dhe nuk mund të të lë të ikësh, këtë vepër duhet me e lënë këtu në trojet tona. Unë isha vetëm 20 vjeç dhe isha teper i pjekur dhe me një dhunti interesante dhe me një origjinalitet. Ai pa tek unë një sintezë të të tëra rrymave dhe një alkimi.

Mirela Milori: Çfarë të bëri të ndaloje dhe të krijoje këtë raport me Rugovën?

Skënder Sherifi: Unë shkova në Prishtinë me një amanet të babës për të perfeksionuar shqipen, kulturën shqiptare.Idea e babës ishte të më shqiptarizonte psikologjikisht, intelektualisht, që të ruaja identitetin dhe bazën familjare. Kur arrita në Prishtinë më tha që baba yt ka bërë shumë mirë që të ka sjellë këtu. Do mundohet të të përqafoj, të të menaxhoj sepse po më intereson ti mua, se unë jam frankofon, e dua Francën, e dua Parisin dhe ajo ishte ëndrra e tij.

Mirela Milori: Sa qëndrove në Prishtinë?

Skënder Sherifi: 4 vite, ‘76-’80. Përderisa më dërguan për atë punë, fillova të kryeja detyrat. Ka qenë një frymë liberale mjaft interesante. Njerëzit dilnin Gjermani, Francë, Holandë, Austri, nuk i ndalte askush me lëviz. Fjala ishte e lirë, kishte muzikë rok, mund të visheshe më origjinal. /tvklan.al