Aktorja Kimmarie Johnson, e njohur për rolin e saj në serialin e famshëm “Beverly Hills, 90210”, është ndarë nga jeta në moshën 50-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga mbesa e saj, Rhonda Scott, e cila ka treguar për TMZ se aktorja ndërroi jetë të mërkurën, pasi disa ditë më parë kishte pësuar një problem serioz me zemrën në banesën e saj në Los Angeles, më 27 tetor.
Sipas mbesës, Johnson u transportua me urgjencë në spitalin Cedars-Sinai, ku mjekët i diagnostikuan një problem me aneurizmën e zemrës. Ajo ndërroi jetë paqësisht pasditen e së mërkurës, pasi zemra i pushoi së rrahuri.
Kimmarie Johnson u bë e njohur në vitin 1998, kur interpretoi personazhin e Judy-t në një episod të serialit “Beverly Hills, 90210”. Ajo u shfaq në sezonin e tetë, në episodin me titull “The Following Options”.
Një tjetër rol i saj i njohur ishte në filmin komedi të vitit 2000, “Dude, Where’s My Car?”, ku luanin edhe Ashton Kutcher dhe Seann William Scott.
Në vitin 2003, aktorja vendosi të ndërpriste përkohësisht karrierën për t’iu përkushtuar familjes, pas lindjes së djalit të saj, Cameron Nino. Më vonë, ajo iu rikthye aktrimit, duke marrë pjesë në disa filma të pavarur dhe projekte teatrale.
Johnson u angazhua edhe në fushën e produksionit. Ajo ishte producente ekzekutive e filmit “The Last Eve”, të vitit 2005, në bashkëpunim me regjisorin koreano-amerikan Young Man Kang. Filmi u vlerësua në disa festivale, ku përfitoi edhe çmimin për filmin më të mirë aksion në New York International Independent Film and Video Festival.
Në vitin 2011, aktorja u bashkua me disa drejtues të industrisë së bukurisë dhe lançoi linjën e saj kozmetike, “SkinGlow by Kimmarie”.
Në muajt e fundit të jetës, Johnson dukej se ishte përqendruar te modelingu. Sipas publikimeve të saj në rrjetet sociale, ajo kishte vijuar aktivitetin në këtë fushë dhe në gusht ishte shfaqur në kopertinën e revistës “Grazia Slovenia”.
Kimmarie Johnson është një tjetër emër nga kasti i “Beverly Hills, 90210” që është ndarë nga jeta ndër vite.
Në mars të vitit 2019, aktori Luke Perry, i njohur për rolin e Dylan McKay, ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare, pas një goditjeje të rëndë në tru.
Në gusht të vitit 2022, u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare edhe Joe E. Tata, i cili interpretonte pronarin e dashur të lokalit Peach Pit në serial.
Humbja e radhës për kastin e serialit erdhi në korrik të vitit 2024, kur aktorja Shannen Doherty, e njohur për rolin e Brenda Walsh, ndërroi jetë në moshën 53-vjeçare, pas betejës me kancerin.
/tvklan.al












Botërori 2026 
