“Quhem Thomas Mathew Crooks, i urrej republikanët, e urrej Trump-in dhe e dini çfarë? Keni gjetur njeriun e gabuar.” Ky është një nga mesazhet e publikuara në rrjetet sociale të atij që FBI e ka identifikuar si personin që qëlloi ndaj Donald Trump, të Shtunën, gjatë një fjalimi në një takim me mbështetësit në Pensilvani.

Ishte vetë FBI që publikoi emrin e 20-vjeçarit, i cili u ekzekutua nga agjentët e saj menjëherë pasi qëlloi me armë dhe plagosi lehtë ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, që garon për një mandat të dytë presidencial më 5 Nëntor. Sipas Zyrës Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara, Crooks qëlloi nga katet e sipërme të një ndërtese 150 metra larg vendit të tubimit.

Në trupin e pajetë të Crooks, agjentët e FBI-së nuk gjetën asnjë dokument identifikues. Identiteti i tij u zbulua vetëm pas daljes së rezultateve të analizave të ADN-së. 20-vjeçari banonte në një lagje në jug të Pitsburgut, gati 60 kilometra larg qytezës Batler ku Trump po zhvillonte tubimin elektoral.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se, autori ka mbaruar shkollën e mesme në këtë qytet para 2 vitesh. Ka qenë i regjistruar si votues në zgjedhjet paraprake republikane të Pensilvanisë, por ka dhuruar 15 dollarë për një organizatë të lidhur me demokratët në Janar 2021.

I pyetur nga mediat, i ati i Thomas tha se nuk ia kishte idenë se çfarë kishte ndodhur me të birin dhe se ishte i shokuar, por nuk pranoi të japë të tjera detaje pa folur me hetuesit.

Tv Klan