E veja dhunohet në mes të fshatit: Personi është i lirë, ndërsa unë…

E veja dhunohet në mes të fshatit: Personi është i lirë, ndërsa unë…

21:09 05/02/2020

Në datën 6 Qershor 2019, një qytetare u dhunua në mes të fshatit Rrotull në Manzë nga bashkëfshatari i saj, Shkëlqim Hoxha. Ajo iu drejtua emisionit “Stop” për të vendosur përpara drejtësisë agresorin, pasi nuk po gjen zgjidhje nga institucionet përkatëse.

“Historia ka nisur 2 vite më parë. Kam patur ngacmime të shpeshta nga Shkëlqim Hoxha. I kam lënë të kuptohet që nuk kam patur interes të kem gjë me të. Unë jam një nënë kryefamiljare, pasi bashkëshorti më ka ndërruar jetë disa vite më parë. Arsyeja që më bëri t’i drejtohem emisionit ‘Stop’ ka të bëjë me ngjarjen e 6 Qershorit… Isha duke blerë disa ushqime te supermarketi i fshatit, sa po hyja në makinë ai më tha të ndaloja. Shkëmbyem disa fjalë dhe duke i kërkuar të mos më ngacmonte më, ai filloi të më godiste me grushta. Ngjarja u pa nga shumë bashkëfshatarë sepse ishte ditë Barjami”

Por megjithëse iu drejtua organeve ligjzbatuese, agresori jo vetëm nuk u arrestua, por Prokuroria e Durrësit kërkoi mbylljen e çështjes. Më pas ajo iu drejtua gjykatës dhe kjo e fundit vendosi rifillimin e hetimeve. Kanë kaluar 8 muaj, por ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim kundrejt Shkëlqim Hoxhës.

“A është e lejueshme dhuna që ai ushtroi? Këtë pyetje dua t’ia bëj prokurores që pushoi çështjen time. Personi që më ka dhunuar është i lirë, ndërsa unë endem nëpër gjykata…”

Gjithashtu qytetarja u shpreh se Policia e Manzës nuk ka dorëzuar në prokurori asnjë pamje filmike të bizneseve që ndodheshin përreth, për të provuar dhunën e ushtruar ndaj saj.

Emisioni “Stop” komunikoi me një dëshmitar të ngjarjes, i cili shpëtoi zonjën nga dhuna.

Gazetarja: Ju e kishit ndarë atë ditë që ndodhi sherri, nuk e di a është e vërtetë apo jo?

Dëshmitari: Po, e vërtetë është.

Gazetarja: Ku janë zënë?

Dëshmitari: Po, ja mo këtu.

Gazetarja: E goditi ai?

Dëshmitari: E goditi, e goditi.

Gazetarja: Ju, ju ka thirrur thirrur policia, për të dhënë dëshmi?

Dëshmitari: Po!

Gazetarja: Keni dhënë dëshmi në polici?

Dëshmitari: Po!

Gazetarja: E çfarë thatë në dëshmi?

Dëshmitari: Ato që kishim parë.

Gazetarja: E çfarë kishit parë?

Dëshmitari: Po ndodhi këtu, po edhe policia erdhi, pa kamerat, pa gjërat.

Gazetarja: Ju e pohuat, që ishte dhunuar ****?

Dëshmitari: Po, pra! Tani na vjen keq edhe për këtë, edhe atë fshatarin tonë e kemi, po tani kjo është dhunuar.

Nga Drejtoria e Policisë e Durrësit u tha se çështja është përcjellë në prokurori dhe se autori i ngjarjes është ngarkuar me veprën penale “dëmtime të tjera me dashje”.

Prokuroria e Durrësit u shpreh se në muajin Janar të vitit 2020 është regjistruar procedimi penal për Shkëlqim Hoxhën, por detajet e tjera përbëjnë sekret hetimor.

Nga ana tjetër juristi Çlirim Gjata u shpreh se kjo është një vepër e thjeshtë për t’u ndjekur, ndaj dhe nuk mund të tolerohet kjo vonesë. Sipas tij, prokuroria dhe gjykata duhet të ndërmarin sa më shpejt masa, pasi në situata të tilla të afërmit e të dhunuarit mund të ndërmarrin masa ekstreme për të bërë vetëgjyqësi.

“Nëse për për një rrahje duhen 7-8 muaj, çfarë do të bëhet për ato bandat? I bie me 100-vjeçar punon prokuroria. Këto janë vepra të thjeshta, për punë ditësh duhet të mbarojnë. Unë nuk e marr vesh, por kushedi se çfarë ka ndërhyrë te prokuroria që ka 8 muaj që nuk e mbyll këtë histori. Sa më shpejt të ndërhyje gjyqtari me prokurorin, aq më mirë është sepse parandalon ndonjë gjë më të madhe”./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi