09 shtator 2026- Majori John Alex Klinner, 33 vjeç, oficer i Forcave Ajrore amerikane me origjinë nga Alabama, humbi jetën më 12 mars, pasi avioni-cisternë KC-135 me të cilin udhëtonte u rrëzua në Irak gjatë operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit.
Në aksident humbën jetën të gjashtë ushtarakët që ndodheshin në bord, ndërsa numri i viktimave amerikane që nga fillimi i konfliktit mes dy vendeve arriti në 18.
Pas vdekjes së tij, bashkëshortja Libby Klinner, me të cilën majori kishte tre fëmijë, shprehu publikisht shqetësimin për përfitimet që i takonin familjes.
Ajo tregoi në rrjetet sociale se një zyrtar i Pentagonit e kishte informuar se familja do të përfitonte disa pagesa dhe lehtësi ekonomike, por jo të gjitha, me argumentin se Shtetet e Bashkuara nuk ishin zyrtarisht në luftë, pasi nuk kishte pasur një deklaratë formale lufte.
Postimi i saj u bë viral dhe rasti u ngrit edhe në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, ku një gazetar ia parashtroi çështjen nënpresidentit JD Vance.
Vance premtoi se do ta shqyrtonte rastin, ndërsa ditët e fundit Forca Ajrore kontaktoi me familjen për ta zgjidhur situatën.
“Duam të ndihmojmë dhe të sigurohemi që ajo të marrë gjithçka që i takon”, kishte deklaruar Vance.
Më pas, Forca Ajrore amerikane pranoi se informacioni i dhënë fillimisht familjes ishte i pasaktë.
Sipas saj, në pagën e fundit të majorit Klinner ishin përfshirë tashmë të gjitha përfitimet që i takonin, edhe pse disa prej tyre ishin pasqyruar në mënyrë të gabuar.
Mes tyre përfshiheshin pagesa për shërbimin në zona luftarake dhe lehtësitë përkatëse fiskale.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës konferencë, Vance deklaroi se pas gjashtë javëve të para, pra nga mesi i prillit, përplasja me Iranin nuk mund të konsiderohet më “luftë”, edhe pse sulmet dhe kundërsulmet vazhdojnë për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin në ngushticën e Hormuzit.
Konflikti mbetet një çështje e ndjeshme për administratën amerikane, ndërsa lufta është jopopullore në mesin e qytetarëve amerikanë dhe zgjedhjet për Kongresin do të zhvillohen pas dy muajsh.
Në fund të korrikut, administrata Trump krijoi gjithashtu një kategori të re për klasifikimin e viktimave të vrara dhe të plagosura gjatë përleshjeve mes SHBA-ve dhe Iranit.
Pentagoni argumentoi se ndryshimi ishte i nevojshëm pasi operacioni “Furia Epike” kishte përfunduar.
Ky ndryshim nuk lidhet drejtpërdrejt me rastin e majorit Klinner, por që nga 7 korriku viktimat amerikane në Lindjen e Mesme klasifikohen nën kategorinë “Operacione jashtë vendit”.
/tvklan.al












Botërori 2026 
