Largimi nga jeta i Pippo Baudo ka trishtuar publikun italian, botëror. Një nga figurat më me ndikim dhe të dashura të televizionit që ka lënë gjurmë të thella në të, por edhe jashtë tij, te zemrat e shumë njerëzve që kanë pasur fatin ta takojnë.

Ai ka dhuruar shumë momente të paharrueshme televizive dhe një prej tyre, fatlum për Shqipërinë. Në vitin 2009, ai erdhi për herë të parë në Tv Klan, kurse në 2014, edhe në “Këngën Magjike” duke ndarë skenën me Ardit Gjebrean.

Gjebrea ka folur gjithnjë me vlerësimin më të madh për prezantuesin italian dhe ndarja e tij nga jeta, siç shprehet në postimin e tij në rrjetet sociale, e ka prekur thellë.

Në një video të shkëputur nga dalja e tyre së bashku në “Këngën Magjike”, ai shkruan sesi takimi i realizoi ëndrrën e fëmijërisë. Ai e quan “frymëzim” e “hero”, një figurë që e ka ndikuar përgjatë gjithë jetës dhe karrierës.

“Addio Pippo Baudo!

Ishte frymëzimi im, shkolla ime, heroi që kam dashur t’i ngjaj, figura artistike shembull! Takimi me të, ka qenë ëndrra e jetës dhe gëzoja si fëmijë… ai fëmija që e ndiqte në kanalin e ndaluar televiziv. Sot për mua është një ditë e trishtë, sepse nuk merr më frymë legjenda, por që ka lënë frymën e tij në çdo ndjesi, në çdo dalje televizive, në çdo mendim dhe organizim kudo ku jam. E vështirë të them lamtumirë… por ai jeton tek unë dhe e di që jemi shumë!”

Së fundmi, Gjebrea ka folur për Pippo Baudo në rubrikën e “Këngës Magjike” në Tv Klan. Ai rrëfeu se një nga pengjet më të mëdha ishte që nuk ka ndjekur dot një festival të Sanremos të prezantuar nga mjeshtri i ekranit italian.

Më tej, tregoi se në takimin e parë mësuan edhe një detaj për njëri-tjetrin pasi datat e ditëlindjeve të tyre janë respektivisht 7 qershor 1936 dhe 7 qershor 1963. Kjo e nxiti Baudo që ta pyeste Gjebrean: “Je djali im?”/tvklan.al