Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 8 vatra zjarri në disa qarqe të  vendit.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 40 punonjës zjarrfikës, 2 automjete zjarrfikëse, 50 forca ushtarake, rreth 90 punonjës të Pyjores e të bashkive dhe vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.

 Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

 Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU SHKODËR

 Në fshatin Karmë, Pukë kanë qenë aktive disa vatra të vogla zjarri në një pjesë terreni tepër të thyer në pyllin me shkurre dhe pisha. Për të shuar flakët është ndërhyrë me anë të helikopterit. Forcat e shërbimit zjarrfikës, të pyjores dhe të ushtrisë, kanë punuar deri në mbrëmje me pompa shpine dhe mjete rrethanore duke shuar vatrat e fshehura të zjarrit.

 QARKU LEZHË

Gjatë ditës së djeshme forcat zjarrfikëse ato të drejtorisë së pyjores kanë punuar me pompa dore dhe mjete rrethanore për të izoluar zjarrin e rënë prej disa ditësh në sipërfaqen me shkurre dhe pyll pishe në fshatin Skuraj, Kurbin. Në ndihmë të forcave në terren ka ndërhyrë edhe me helikopter.

 Në fshatin Orosh, Mirditë ka rënë  zjarr në një sipërfaqe të zonave të mbrojtura. Zjarri ka rënë në terren të thyer duke mos përbërë asnjë problem për banesat dhe zonën pyjore të fshatit. Sot në mëngjes kanë filluar reshjet e shiut dhe kanë shuar vatrat e zjarrit duke normalizuar situatën.

 QARKU FIER

Në pyllin me pisha të larta në fshatin Kreshpan, Fier ka rënë zjarr. Zjarri ka marrë përmasa për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë. Pas ndërhyrjes nga ajri është bërë e mundur vendosja nën kontroll e zjarrit.

 QARKU DIBËR

Në fshatin Sllovë, Dibër ka rënë zjarr. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe forcat vullnetare. Zona është mbajtur në monitorim gjatë natës, por nuk ka pasur vatra të fshehura. Zjarri ka përshkuar rreth 10 ha me pyll pishe të zezë dhe ah. 

 QARKU ELBASAN

Në fshatin Poroçan, Gramsh ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Për shkak të terrenit tepër të thyer ndërhyrja ka qenë e pamundur.

Forcat e pyjores, të njësisë administrative Labinot-Mal, të bashkisë Elbasan si dhe 30 forca të ushtrisë, kanë punuar gjatë gjithë ditës me mjete rrethanore për të izoluar vatrat e zjarrit në pyllin me pisha në fshatin Benë. Këto forca po punojnë për të bllokuar vatrat e zjarrit që kanë rënë në pyllin e zonës së Orenjës, Librazhd.

 QARKU VLORË

Në kodrat e qytetit të Delvinës ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarrfikëset me shërbimin pyjor kanë mundur të shuajnë flakët pas disa orësh punë. Si pasojë e zjarrit është djegur vetëm një zonë me shkurre.

 QARKU KORÇË

Në Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës” Korçë ka rënë zjarr. Me gjithë përpjekjet e bëra nga forcat operacionale nuk është bërë e mundur izolimi i vatrave të zjarrit për shkak të terrenit të thyer. Për shkak të situatës së vështirë në ndihmë kanë shkuar edhe forcat ushtarake që kanë punuar për shuar flakët./tvklan.al