FA nisin ndërtimin e urës për banorët e dy fshatrave në Librazhd

Efektivët e Forcave të Armatosura kanë nisur ndërtimin e një ure që do t’u vijë në ndihmë banorëve të fshatit Spatharë dhe Dardhë në Librazhd. Lajmin e bën të ditur Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila në një postim në rrjetet sociale thotë se kjo urë do të jetë 33 metra e gjatë dhe ndërtimi i saj do të përfundojë brenda 10 ditëve.

“Pas 10 ditësh, banorëve të fshatrave Spatharë dhe Dardhë në Librazhd nuk do u duhet të kacavirren për të kaluar lumin Shkumbin. Xhenierët e Forcave të Armatosura kanë nisur punën për ndërtimin e një ure 33 m të gjatë te Rrethi i Bardhë, e cila do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e banorëve dhe nxënësve të këtyre 2 fshatrave për në qendrën shëndetësore, shkollën e mesme dhe rrugën nacionale. Forcat e Armatosura të Shqipërisë në krye të detyrës!”, shkruan Ministrja./tvklan.al