Vajzat nga Korea e Jugut kanë performuar edhe me shqiptaren Dua Lipa

Pas grupit të famshëm koreano-jugor BTS, vajzat e grupit Blackpink kanë bërë të ditur se do të mbajnë një koncert në mënyrë virtuale. Sipas asaj që raporton Variety, ende nuk dihet data se kur do të mbahet, pasi vajzat kanë vendosur që ta lënë surprizë për fansat. Në disa intervista të mëparshme vajzat janë shprehur se ky do të jetë koncerti më i madh i të gjitha kohërave që do të vulosi një sukses të jashtëzakonshëm.

Blackpink është grupi i parë me vajza që deri më tani ka korrur shumë sukses në muzikën ndërkombëtare. Në dy vitet e fundit, ato kanë fituar më shumë se 23 çmime dhe janë nominuar afro 100 herë në çmime të rëndësishme në Korenë e Jugut. BlackPink ka bashkëpunuar me Dua Lipën dhe performoi në Coachella gjatë vitit 2019. Në fillim të këtij viti ato sollën bashkëpunimin e parë me këngëtaren e famshme Lady Gaga. Kënga “Sour Candy” ishte pjesë e albumit të gjashtë të incizuar në studio të Gagas, “Chromatica”.

Pak kohë më vonë ato e publikuan këngën “How You Like That”, e cila theu rekorde të shumta muzikore. Videoklipi i kësaj kënge numëron aktualisht 657 milionë klikime në YouTube. Kënga është pjesë e albumit “The Album”, ku po ashtu përfshihet hiti “Lovesick Girls” dhe bashkëpunimet e vajzave me këngëtaren Selena Gomez, në këngën “Ice Cream” dhe me reperen Cardi B, në këngën “Bet You Wanna”. Për këtë grup muzikor është realizuar edhe një dokumentar në Netflix me titull “Blackpink:Light Up The Sky”. Ky projekt e eksploron rrugëtimin e grupit drejt famës .

Klan Plus