Nuk ka të ndalur skandali për ngacmimet seksuale në Hollivud. Në vorbullën e akuzave përfundon një tjetër emër i madh i kinemasë, Michael Douglas, si edhe një nga fituesit e çmimeve Golden Globe, aktori James Franco.

Në ndryshim nga yjet e tjerë, Douglas i parapriu akuzave duke rrëfyer vetë se rreth 30 vjet më parë është akuzuar nga një grua se i është drejtuar me fjalë të pista dhe ka bërë përpara saj sjellje të pahijshme. Aktori 73-vjeçar pranoi se mund të ketë thënë ndonjë fjalë të tepërt, por sa i përket sjelljeve ngacmuese ndaj gruas, ai tha se këto ishin genjeshtra dhe sajesa.

Sapo u çmua si aktori më i mirë në një musical, në Golden Globe, mbi James Franco-n vërshuan një lumë akzuash se kishte përdorur edhe forcën në ngacmimet seksuale ndaj grave. Mirëpo në një intervistë në CBS, Franco mohoi akuzat dhe u shpreh i habitur se përse këto vajza e akuzojnë.

Pas denoncimit nga disa dhjetëra gra për ngacmime në adresë të producentit të njohur Harvi Uejstejn, vala e ngacmimeve seksuale në Hollivud ka përfshirë emra të mëdhenj, si Woddy Allen, Kevin Spacey, Duistin Hoffman etj.

TV Klan