Eduard Shalsi: “A e keni parë sesa i kënaqur qesh Sali Berisha kur thotë se bashkia e Tiranës nuk ka buxhet? Ne tashmë e kemi buxhetin tonë. Duan apo s’duan Berisha dhe Meta, por duam të nënvizojmë një fakt, një sjellje aspak qytetare të gajasjes së Sali Berishës kur flet për një çështje kaq të rëndësishme, siç është buxheti i qytetit të Tiranës. Askund në botë nuk mund të ndodhë që një kryeministër dhe një ish-kryeministër të bëhen bashkë për të minuar buxhetin e metropolit të tyre, njëlloj si të ishin “cuba mali” dhe jo burra shteti, ndaj Berisha dhe Meta nuk duhet të votohen nga të gjithë ata që nuk duan dhe katër vjet të tjera si këta 18 vjet talljeje me njerëzit dhe me vendin.”

Gerti Bogdani: “Kryeqyteti sot është kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk ka buxhet. Është kryeqyteti i vetëm në Evropë që jo vetëm nuk ka buxhet, por nuk ka kryetar. Ka një kryetar me korrespondencë. Buxheti i Tiranës sot nuk është i miratuar, gjë që do të thotë që qytetarët kanë më pak rrugë të shtruara, fëmijët në shkolla kanë më pak ngrohje, kanë më pak kënde lojërash, të moshuarit kanë më pak qendra sociale për ta, pra Tirana sot është në pikë të hallit. Të mos ketë buxhet do të thotë që ka më pak banesa sociale, mund të themi nuk ka fare për të pastrehët. Tirana sot nuk ka buxhet për një arsye shumë të thjeshtë, sepse buxheti nuk është votuar në këshillin bashkiak pasi kryetari i bashkisë për interesat e ngushta personale, për interesa të klaneve të tij kërkon të kalojë 14 milion euro pa i detajuar, pra 14 milion euro që janë pre për abuzim, 14 milion euro që thjesht do përdoren për fushatë elektorale dhe jo për qytetin e Tiranës. Pyetja që lind është e thjeshtë: Është zoti Rama i paaftë të detajojë buxhetin apo është zoti Rama i paaftë të bëjë transparencën e buxhetit?”/tvklan.al