Prokuroria e Posaçme merr sërish në pyetje gjyqtaren Enkeleida Hoxha

Dy ditë pasi gjykata e posaçme i ndryshoi masën e sigurisë nga pezullim detyre në arrest me burg mjekut Edvin Prifti, prokuroria e Tiranës ka nisur një tjetër hetim ndaj tij. Verifikimet ndaj mjekut Prifti kanë nisur pas kallëzimit të kryer nga QSUT, lidhur me një rast ku ish-shefi i Kardiokirurgjisë dyshohet se ka marrë ryshfet për të mjekuar një paciente.

Sipas burimeve, drejtoria e QSUT është vënë në dijeni lidhur me një denoncim në rrjetet sociale, ku pacientja Ana Ademi akuzon publikisht mjekun se i ka mrrë para në këmbim të shërbimit mjekësor. Për këtë arsye drejtuesit e QSUT-së kanë kërkuar dëshminë e pacientes Ademi por nuk është paraqitur, ndaj kanë referuar çështjen në prokurori.

Kjo e fundit është duke hetuar dhe një tjetër rast për mjekim të pakujdesshëm, ku një pacient ka humbur jetën në një prej spitaleve private ku mjeku Prifti punonte. Hetuesit janë në pritje të aktit të ekspertimit, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Akuza e Tiranës gjithashtu është duke hetuar dhe një tjetër kallëzim nga vetë mjeku kundër një shtetasi me emrin Leonard, për të cilin dyshohet se e ka kërcënuar me jetë.

Ndërkohë lidhur me dosjen e Krujës ku u arrestua dhe gjyqtarja Enkeleida Hoxha, kryesekretarja dhe avokati, prokuroria e posaçme ka zgjeruar hetimet për të verifikuar dhe transferimet që janë bërë vitet e fundit të të dënuarve në burgun e Fushë-Krujës.

Burime nga SPAK bëjnë të ditur se po verifikohen gjithashtu dhe transferime të tjera në burgjet e vendit, ndërsa ka patur shkelje. Gjyqtarja Hoxha këtë të hënë është rimarrë në pyetje nga prokurorët e SPAK, lidhur me skemën e korrupsionit në gjykatën e Krujës.

Pas arrestimit të gjyqtares dhe zyrtarëve të tjerë të drejtësisë në Krujë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka nisur hetim disiplinor për të gjitha lirimet që janë bërë së fundmi. Gjithashtu këtë të hënë këshilli i lartë gjyqësor ka pezulluar nga detyra gjyqtaren Enkeleida Hoxha.

Klan News