Një ftesë për videokonferencë mbi luftën në Ukrainë është përdorur si karrem nga hakerë pro-rusë për të vjedhur llogaritë e gazetarëve dhe politikanëve në aplikacionet e komunikimit Signal dhe Telegram.
Sipas një investigimi të publikuar nga gazeta franceze Le Monde, grupi i hakerëve UNC5792 ka tentuar të marrë nën kontroll llogaritë e tre gazetarëve të kësaj gazete dhe të deputetit francez Éric Bothorel. Sulmet janë kryer përmes mesazheve që vinin nga kontakte të njohura dhe të besuara për viktimat, duke i bërë ato të dukeshin si ftesa normale për takime online.
Dyshimet janë se sulmuesit kanë përdorur llogarinë e një gazetari evropian, i cili ishte në kontakt me personat e shënjestruar. Kjo ngre mundësinë që disa llogari të jenë komprometuar më herët dhe më pas të jenë përdorur për të mashtruar persona të tjerë.
Një prej rasteve të zbuluara lidhet me gazetarin investigativ bullgar Christo Grozev. Ai mori një mesazh nga një kontakt gjerman, i cili e ftonte në një takim përmes një faqeje që dukej si Google Meet. Megjithatë, formulimi i mesazhit iu duk i dyshimtë, pasi i kujtonte shprehje të përkthyera nga rusishtja.
Pas verifikimeve, Grozev zbuloi se lidhja nuk të çonte në një takim në Google Meet, por në një faqe që imitonte hyrjen në Telegram. Aty kërkohej kodi i sigurisë me dy faktorë, i cili do t’u mundësonte hakerëve të merrnin kontrollin e llogarisë së tij.
Edhe gazetari gjerman Bastian Obermayer, një prej autorëve të investigimit të njohur Panama Papers, ka qenë në shënjestër të një tentative të ngjashme. Ai tregoi se arriti të dyshonte për mashtrimin pasi emri i personit që pretendohej se kishte dërguar mesazhin ishte shkruar gabim.
Në rastin e deputetit francez Éric Bothorel, sulmuesit përdorën një tjetër skemë. Atij iu dërgua një ftesë për t’u bërë pjesë e një grupi në Telegram, ku do të mund të ndiqte zhvillimet mbi Ukrainën. Mesazhi vinte nga një kontakt i tij, llogaria e të cilit ishte hakuar më parë.
Edhe në këtë rast, faqja e rreme kërkonte kodin e autentifikimit me dy faktorë të Telegramit. Nëse përdoruesi do ta jepte këtë kod, hakerët do të fitonin akses në llogarinë e tij dhe në të dhënat që lidhen me të.
Sipas Le Monde, në të paktën një rast sulmuesit kanë arritur të kenë sukses. Ata kanë hyrë në llogarinë e një drejtuesi të një kompanie të sigurisë kibernetike, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Më pas, kontaktet e ruajtura në këtë llogari mund t’u kenë shërbyer për të gjetur persona të tjerë që mund të bëheshin objektiv i sulmeve.
Kjo metodë nuk përdoret për herë të parë. Një fushatë e ngjashme ishte zhvilluar edhe në korrik dhe maj të këtij viti, kur në shënjestër kishin qenë gazetarë dhe politikanë italianë, mes tyre edhe eurodeputetja Pina Picierno dhe disa gazetarë të gazetës La Repubblica.
Sipas të dhënave të Google Threat Intelligence, të cituara nga Le Monde, aktiviteti lidhet me grupin UNC5792, i cili dyshohet se ka lidhje me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB). Fushata e fundit e phishing-ut, një metodë mashtrimi përmes mesazheve dhe faqeve të rreme, është aktive që nga mesi i tetorit.
Rasti shërben si një tjetër paralajmërim për përdoruesit e aplikacioneve të komunikimit: edhe një mesazh që vjen nga një person i njohur mund të jetë pjesë e një sulmi. Kodet e verifikimit dhe të autentifikimit me dy faktorë nuk duhet t’i dërgohen apo t’i jepen askujt, edhe kur kërkesa duket se vjen nga një kontakt i besuar.
/tvklan.al












Botërori 2026 
