Ky është momenti i aksidentit tragjik që i mori jetën gazetarit, Xhesjon Zogu, 26 vjeç, paraditen e së mërkurës në aksin Vorë-Fushë Krujë, në Urën e Gjoles.

Siç shihet në pamjet ekskluzive të siguruara nga Tv Klan, të filmuara nga kamerat e një biznesi fare pranë vendngjarjes, makina tip Mercedes-Benz, ngjyrë e bardhë, me drejtues Behar Ruçin, po lëviz me shpejtësi të lartë në drejtim të Fushë-Krujës.

Sapo kthehet në afërsi të Urës së Gjoles, humb kontrollin dhe del në krahun tjetër të lëvizjes, duke u përplasur kokë më kokë me makinën e 26-vjeçarit, një Range Rover me timon në krahun e djathtë, e cila po lëvizte në korsinë e vet në drejtim të Vorës.

Për grupin hetimor të policisë, shpejtësia dhe çarja e një gome të Mercedesit ka qenë shkaku i përplasjes që i mori jetën të riut.

26-vjeçari humbi jetën gjatë rrugës për në Spitalin e Traumës, ndërsa plagë të rënda ka marrë dhe Behar Ruçi, shoferi i makinës tip Benz, që sipas ekspertizës paraprake rezulton shkaktari i aksidentit. Për këtë arsye, atij i është komunikuar masa e arrestit me burg.

Ekspertët e Policisë Rrugore dyshojnë se shpejtësia e lëvizjes së mjetit Mercedes-Benz ka qenë mbi 100 km/h, ndërkohë që shpejtësia e lejuar në këtë zonë është 50 kilometra në orë.

Tv Klan

/tvklan.al