Në Kanë po zhvillohet panairi Mipcom TV i cili është një ndër panairet më të mëdhenj të televizionit në botë. Yjet e kinematografisë mblidhen aty dhe nuk kanë munguar të preferuarit e serialeve hit që transmetohen edhe në Tv Klan, “Dashuria e Eshrefit” dhe “Lejla”.

Çağatay Ulusoy dhe Demet Özdemir morën menjëherë vëmendjen sapo shkelën në tapetin e kuq për shkak të popullaritetit që seriali ka fituar në të gjithë botën. Pranë tyre është gjendur edhe një prej figurave më të njohura të Tv Klan, pikërisht mendja e palodhur pas gjithë prodhimeve të suksesshme që vijnë në ekranin më të dashur, Albert Dumani.

Drejtori i programacionit është takuar nga afër me yjet më të përfolur të momentit në kinemanë turke e madje ka postuar edhe disa foto me Eshrefin e Ryjan duke na e bërë të gjithëve për zili.

Në pamjet e ndara në rrjetet e tij sociale, shihen emra si Halit Özgür Sarı, Ozge Yagiz dhe Cemre Baysel që ka vjedhur zemrat me rolin e “Lejlas”. Disa foto ekskluzive shfaqin edhe yllin e “Sulejmanit të madhërishëm”, Halit Ergenç.

Ekskluzivisht për tvklan.al, Dumani ka zbuluar edhe surprizën që do të vijë shumë shpejt në ekran, një nga serialet më të kërkuara që ka rezultuar një sukses i vërtetë në Turqi.

“Të braktisurit” (Sahipsizler) me protagonistë Hazal Subaşı dhe Burak Berkay Akgül do të jetë historia e radhës që do të na mbajë ngërthyer për të mësuar fatin e gjashtë fëmijëve të mbetur jetimë në rrugët e Stambollit, nën kujdesin e motrës së madhe, teksa jeta i përball me sfida të shumta.