Në studion e “Stop” flet nënkryetari i Kuvendit dhe deputet i PD-së, Myslim Murrizi, i cili komenton situatën politike dhe tregon për herë të parë publikisht, se si u mor vendimi për djegien e mandateve nga ana e PD-së.

Saimir Kodra: Mirëserdhe. Nuk e kam parë, ke drejtuar ndonjë seancë?

Myslim Murrizi: Kam drejtuar një seancë.

Gentian Zenelaj: Drejtohen dot?

Myslim Murrizi: Të vështirë janë shqiptarët për tu drejtuar, por përpiqemi t’ia qëllojmë.

Saimir Kodra: Ti në datë 30 Qershor personalisht vetë, do të shkosh apo jo në votime?

Myslim Murrizi: Në 18 palë zgjedhje që janë zhvilluar në Shqipëri, jo në të gjitha kam marrë pjesë, për arsye objektive, duke qenë se herë na ka qëlluar pasaportizimi jashtë zonës elektorale me këtë ligjin e famshëm. Duke qenë se nuk kam një alternativë që të më kënaqë, në sensin 1 kandidat që ta votoja me qejf, të shikoj se akoma nuk e kam vendos. Ndoshta do të marr një këshillë edhe nga ju çfarë do të bëj.

Gentian Zenelaj: Zoti nënkryetar, aman mor çfarë po ndodh mor burrë? Plaka ime pyet çfarë po ndodh mor djalë.

Myslim Murrizi: Plakës i thuaj të shikojë sa më pak lajme dhe të jetë rehat.

Gentian Zenelaj: Ore ça ndodh brenda partisë, a ka votim, apo thotë njëri mandatet i djegim dhe hajde pimë kafe?

Saimir Kodra: Kjo djegia e mandateve konkretisht se jam shumë kureshtar. Mund të ma perifrazosh pak fjalinë e Lulit, si tha? Zotërinj, deputetë…

Myslim Murrizi: Me thanë të drejtën Luli nuk na e tha ne, por e tha në TV një ditë më përpara, të dielën, pastaj lajmëroi mbledhjen e grupit të hënën.

Gentian Zenelaj: Më fal, ti dëgjove në Tv që është djeg mandati dhe shkove direkt tek xhepi i portofolit të kontrollosh mandatin?

Myslim Murrizi: Në fakt, një miku im, një koleg deputet më tha, ça bën? I thashë si ditë e diel po zgjohem vonë. Si ore fle gjumë më tha, kryetari ka djeg mandatin ti fle gjumë. I thashë unë timin jo, ta shikoj se nuk e di. Pastaj erdhi mbledhja e famshme e grupit parlamentar, që dihej për çfarë na u lajmërua në agjendë. Dihej që mbledhja e grupit do të ishte për këtë. Dua të them se nuk isha vetëm unë kundër djegies së mandateve, por secili në stilin e tij, në performancën e tij, në zanatin e tij, në atë që përfaqësonte. Ata që ishin kundër u përpoqën të sjellin argumentet pse po e bëjnë. Biles, duke i kërkuar ndjesë doktor Halimit, është mjek i nderuar, është mik i imi edhe jashtë politikës. 18 muaj kam ndenj në Kuvend me të, por unë e njoh herët. Me një qetësi që e karakterizon doktorin, jo me humor ndoshta, por edhe si i habitur nga ky vendim, kryetarit i tha “a të të bëj një pyetje si mjek? Ky vendimi që lançove të dielën, ishte para gazit lotsjellës, apo pas gazit lotsjellës?”

Gentian Zenelaj: Aaa, se kishte filluar gazi atëherë?

Myslim Murrizi: Gazi ishte të shtunën. Ishte protesta e 16 Shkurtit.

Gentian Zenelaj: Sa zgjat efekti i gazit?

Saimir Kodra: Prandaj e ka pyet doktori.

Myslim Murrizi: E gjithë elita vendimmarrëse politike ka një hall shumë të madh pas shpine, por të cilin nuk e shprehin dot as në takim me njëri-tjetrin, as me të huajt e as me publikun. Unë besoj se halli i madh i tyre është përvetësimi i milionave të eurove në këto 29 vjet post-komunizëm. Nga këta që unë para pak ditësh ua thashë në foltore të Kuvendit, erdhët me pantallona thesi dhe me brekë doku dhe sot jeni rrezatoni me “Gucci” e “Armani”, e vila nga 2-3 milionë euro dhe hale për macet.

Gentian Zenelaj: Zoti nënkryetar, a ju bën përshtypje kur fillojnë kështu: Të nderuar kolegë, të dashur deputetë dhe kur ia fillojnë pastaj, se ju jeni hajdutë…po kur do t’i thuash hajdutë, pse i thua i nderuar koleg?

Myslim Murrizi: Më ka rastits. Por problemi është se ne shqiptarët ëmbëlsirën e lëmë për në fund. Ajo hyrja nuk është pjesa e ëmbëlsirës. /tvklan.al