Kastriot Hasalla ka pranuar se ka qëlluar ai ndaj kushëririt të tij, Romeo Hasalla mëngjesin e 29 Korrikut. I shpallur në kërkim pas ngjarjes dhe në arrati prej 2 ditësh, ai ka pranuar që të vetëdorëzohet. Por këtë e ka bërë nëpërmjet avokatit. Arsyeja? “Nuk kisha besim tek policia se nuk ka drejtësi”, tha ai.

Gazetarja e Klan News, Anila Sefa, ka mundur që t’i marrë një intervistë ekskluzive Kastriot Hasallës, teksa ai ndodhej në makinë me avokatin e tij, Ilir Dervishi. Hasalla pretendon se ka qëlluar vetë me armë dhe ka vrarë të riun si dhe ka plagosur vëllezërit dhe babain e viktimës. Ai shprehet se vëllai dhe djali i tij, të cilët ndodhen në burg, duhet të lirohen pasi nuk kanë përgjegjësi për ngjarjen.

Gazetarja: Kush jeni ju?

Kastriot Hasalla: Unë quhem Kastriot Hasalla.

Gazetarja: Ju jeni autori që kryet vrasjen?

Kastriot Hasalla: Po! Unë them vetëm drejtësinë dhe si ka ndodhur do t’i tregoj më tutje.

Gazetarja: A keni qëlluar ju me armë?

Kastriot Hasalla: Po unë kam qëlluar.

Gazetarja: Pse u dorëzuat te avokati dhe jo te policia?

Kastriot Hasalla: Në polici nuk kisha besim, se nuk ka drejtësi. Për çfarë kam bërë mbaj përgjegjësi deri në fund. Çuni duhet të lirohet me gjithë vëllain se nuk ka përgjegjësi fare. Unë kam qëlluar, mbaj përgjegjësi deri në fund. Mjetet e mia duhet të lirohen, se nuk e kanë bërë mjetet krimin.

Ndërkohë avokati Dervishi tha se Hasalla e ka kryer krimin në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike pasi jeta e djalit të tij është ërcënuar nga pala tjetër me armë.

Avokati, Ilir Dervishi: Unë jam avokati Ilir Dervishi që përfaqësoj klientin tim. E rëndësishme është që klienti me vullnetin e tij të lirë po shkon të dorëzohet pranë organeve të drejtësisë. Ka dashur të dorëzohet që ditën e parë, por nuk e di arsyen pasi 50 minuta kemi që kemi kontaktuar bashkë. Kemi kontaktuar shefin e komisariatit, prokurorin e çështjes, drejtuesin e Prokurorisë së Lushnjes, për veprimin e klientit tim, por meqë jam përballë jush, edhe në emër të klientit tim dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së viktimës, por edhe shërim sa më të shpejtë të të plagosurve. Kjo është një ngjarje e rëndë, por edhe një ngjarje që nuk ka patur rrethana të tjera përveç atyre rastësore, që nuk ka pasur paramendim, por ka ndodhur në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike të klientit tim dhe duke parë jetën e djalit që rrezikohej nga kërcënimi me armë i palës tjetër.

Gjykata e Lushnjes ka vendosur sot masën e arrestit me burg për dy të arrestuarit Afrim dhe Marjo Hasalla që akuzohen për ngjarjen e rëndë. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e 29 Korrikut në Garunjas të Lushnjes. Autorët e dyshuar të ngjarjes u përplasën me viktimën, vëllezërit e tij dhe babain e tyre.

Në thelb të sherrit të tyre ishte një tokë, e cila përfundoi në një tragjedi. Autorët e dyshuar ishin kushërinj me viktimën dhe të plagosurit e tjerë./tvklan.al