Testimi i krahasuar midis farave hibride dhe atyre autoktone (të vendit), i ndërthurur me mbrojtjen biologjike, prek pikërisht sfidat më të mëdha të bujqësisë. Qendra e transferimit të teknologjive Bujqësore (QTTB) në Lushnje është kthyer në epiqendrën e inovacionit bujqësor në vend.
Përmes një “Dite Fushore” të organizuar me pjesëmarrjen e dhjetëra fermerëve, specialistëve të fushës dhe agronomëve, janë prezantuar rezultatet e para të një eksperimenti jetik për tryezat tona.
Krahasimi në terren i farave hibride me ato autoktone, si dhe suksesi i mbrojtjes biologjike ndaj sëmundjeve janë çështjet më të diskutuara sot për sfidat në bujqësi.
Në parcelat eksperimentale të QTTB Lushnje, të pranishmit patën mundësinë të shohin nga afër sjelljen e kulturave kryesore të perimeve. Nga njëra anë, farat hibride treguan potencialin e tyre maksimal në rendiment dhe rezistencë ndaj transportit një element kyç ky për eksportet shqiptare.
Nga ana tjetër, farat autoktone të vendit konfirmuan edhe një herë vlerën e tyre të padiskutueshme në shije, aromë dhe përshtatshmëri me klimën lokale, duke mbetur zgjedhja elitare për tregun e brendshëm dhe agroturizmin.
Fermerët e pranishëm ishin të interesuar edhe për të rejat që sjell mbrojtja biologjike. Ata kanë nisur gjerësisht aplikimin e mbrojtjes biologjike në serrat diellore. Insektet po përdoren me qëllim eliminimin e pesticideve të rënda kimike.
Specialistët e QTTB-së demonstruan se si përdorimi i mbrojtjes biologjike përmes insekteve të dobishme dhe preparateve me bazë biologjike mund të mbajë nën kontroll të plotë sëmundjet dhe dëmtuesit e perimeve.
Ky fermer nga zona e Beratit tregon se ka prodhim të lartë dhe të shëndetshëm pa pasur nevojë të abuzojmë me kimikatet. Tregu europian po kërkon produkte me ‘zero mbetje’ dhe kjo që po testohet është rruga e vetme për të rritur vlerën e perimeve për eksport.
Përveç të tjerash ministria e Bujqësisë ka futur në skemat mbështetëse për fermerin mbrojtjen biologjike duke nxitur përdorimin e tyre.
Fermerët pjesëmarrës e vlerësuan maksimalisht këtë nismë, duke theksuar se të shohësh rezultatet direkte në tokë përpara se të investosh për blerjen e farërave, u kursen atyre kosto të mëdha dhe u garanton suksesin e sezonit.
Demostrimi i punës kërkimore dhe shkencore merr një rëndësi të veçantë, pasi këtu në parcelat e qendrës së transferimit të teknologjive bujqësore, specialistëve u jepet mundësia të shohin punën e gjenetistëve. Pjesëmarrësit u njohën me kultivaret e grurit, farat e reja hibride dhe autoktone, për tu përshtatur klimës ku ato do të mbillen.
Profesori i shkencave, gjenetisti Vladimir Malo thekson se testimi i këtyre farërava ka një rëndësi të veçantë sepse jep mundësinë e mbjelljes me saktësi të kultivarëve sipas klimës së çdo vendi.
70% të vlerës për mbrojtjen biologjike, fermerit ia mbulon shteti në skemën kombëtare të këtij viti. Ministri i Bujqësisë, Andis Salla pohon se për shkak të interesit të madh të fermerëve për të pasur produkte të pastra pa mbetje kimikatesh në eksportet drejt BE është rritur interesi i tyre këtë vit.
Aplikimet në 12 skemat mbështetëse në bujqësi deri në afatin e caktuar këtë vit janë shtuar sipas ministrit Salla. Ai shprehet se ky është një model shumë i mirë duke testuar farërat hibride dhe atoktone sepse kështu mbështesin edhe fushën e agroturizmit.
“Eksperimentet e prezantuara në Qttb ne Lushnje pritet të kthehen në protokolle zyrtare pune, të cilat do t’u shpërndahen të gjithë fermerëve të zonës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt një bujqësie më të qëndrueshme, më fitimprurëse dhe mbi të gjitha, më të shëndetshme për konsumatorin. Testimet ne keto parcela zgjasin 2 deri ne 3 vite”, tha Ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 