Zhvillimet aktuale që po ndodhin në Lindjen e Mesme nuk duhet të ndikojnë menjëherë në rritjen e çmimit të naftës në vendin tonë, sipas ekspertëve. Kjo pasi nafta që qarkullon në tregun vendas është blerë disa muaj para se të niste konflikti.

“Autoriteti i Konkurrencës duhet të ndërhyjë për të mbikëqyrur luhatjen e pajustifikueshme dhe të papranueshme të tregut dhe çmimit të karburanteve… Sepse ne sot po konsumojmë naftën që kemi blerë para 6 muajsh në bursë. Nëse sot ka konflikt dhe çmimi rritet, kjo do të reflektohet për naftën që do të blejmë më vonë, pas 6 muajsh apo 1 viti. ne nuk kemi kapaciteta të mira magazinuese për t’i bërë ballë luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare”, shprehet eksperti Enriko Ceko.

Sa i përket çmimit të produkteve të tjera, ekspertët shprehen se nuk ka vend për panik, pasi vendi ynë apo edhe vendet fqinje nuk varen nga importi i produkteve nga Irani.

Pak ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se ka nisur monitorimin e tregut me shumicë dhe pakicë për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm të çmimit të karburanteve.

Klan News

/tvklan.al