Ndërsa talebanët kanë marrë kontrollin e qeverisë afgane, gratë thonë se kanë frikë për të ardhmen e tyre. Shumë ekspertë janë skeptikë ndaj zotimeve të grupit islamik, se ata do të respektojnë të drejtat e grave. Presidenti Joe Biden tha të premten se nëse talebanët duan ndihmë dhe njohje, kjo do të varet nga mënyra se si ata i trajtojnë gratë dhe vajzat afgane.

Me talebanët përsëri në pushtet, disa gra afgane thonë se tani ndihen sikur janë sërish në errësirë. Gjatë pranisë 20-vjeçare të SHBA, shumë vajza afgane u kthyen në shkollë dhe gratë afgane u kthyen në vendin e punës. Nën sundimin taleban kjo ishte e ndaluar.

Presidenti Joe Biden tha të premten se çdo njohje ose ndihmë ndërkombëtare për talebanët do të varet nga mënyra se si grupi islamik i trajton gratë dhe vajzat afgane.

“Ata po kërkojnë të fitojnë legjitimitet. Kjo do të varet se si ata do ta mbajnë atë vend. Ata do të marrin ndihmë bazuar në faktin nëse ata i trajtojnë apo jo mirë gratë dhe vajzat, si i trajtojnë qytetarët e tyre”, deklaroi presidenti Biden.

Afgano -amerikania Nazila Jamshidi i tha Zërit të Amerikës se ajo ndjen dhimbje për gratë dhe vajzat e Afganistanit.

“Atyre që lindën pas vitit 2001, u mësuam mbi të drejtat e njeriut, dinjitetin njerëzor dhe lirinë e shprehjes. Ne u kemi dhënë atyre shpresë dhe u kemi thënë të ndërtojnë një Afganistan të ri. Të gjitha që u ndërtuan me vështirësi në 20 vite, u humbën në dy muaj”, thotë Nazila Jamshidi, protestuese.

Gratë dhe vajzat janë më të rrezikuara, thotë David Phillips, drejtor në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia. Ai ka punuar edhe si këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit, gjatë administratave Clinton, Bush dhe Obama.

“Talibanët do t’i detyrojnë vajzat e vogla të martohen. E ardhmja e shoqërisë civile është e zymtë, po ashtu edhe për mediat e pavarura”, thotë ai.

Në konferencën e tyre të parë për shtyp, talebanët u zotuan të respektojnë të drejtat e vajzave dhe grave, brenda kornizës së islamit.

Por veprimet e talebanëve gjatë marrjes së territorit këto dy muaj kanë shkatërruar çdo shpresë, i tha Zërit të Amerikës Rina Amir, eksperte e ndërmjetësimi në Universitetin e “Nju Jorkut”.

“Me marrjen e territorit, ata kanë marrë në pyetje gratë dhe anëtarë të shoqërisë civile. Ata kanë krijuar një kulturë të vërtetë frike. Ata hyjnë në shtëpitë e tyre me lista në dorë. Dinë emrat e tyre, kërkojnë për materiale, kontrollojnë celularët. Pra, ata po bëjnë të gjitha gjërat që kanë bërë më parë”, thotë Rina Amiri nga Universiteti i “Nju Jorkut”, thotë ajo.

Në Departamentin e Shtetit këtë javë, zv.sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman tha se çështja për të mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave në Afganistan është një çështje personale për të. Ajo kujtoi takimin e saj me gratë dhe vajzat afgane në një kamp refugjatësh në Peshauar të Pakistanit me ish Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright në vitin 1997.

“Në 20 vitet e fundit, gratë dhe vajzat afgane kanë përqafuar lirinë e tyre. Miliona afganë kanë shkuar në shkollë. Ata janë bërë mjekë, juristë, gazetarë, sipërmarrëse. Ato kanë ndërtuar jetën që Sekretarja Albright i inkurajoi të imagjinonin”.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po rrisin numrin e të evakuuarve, shtetas amerikanë dhe afganëve që i ndihmuan, zonja Sherman tha se Uashingtoni do të përdorë çdo mjet ekonomik, diplomatik dhe politik për t’i vënë talebanët para përgjegjësisë./VOA