Sa herë që Lindja e Mesme përfshihet nga përshkallëzime ushtarake, ekonomitë e vogla ndjejnë efektin përmes kostove të energjisë dhe zinxhirit të furnizimit. Shqipëria mbështetet në importe për karburantet dhe një pjesë të madhe të mallrave bazë, ndaj çdo tronditje e jashtme rrit automatikisht ekspozimin ndaj inflacionit.

Aktualisht inflacioni në vend qëndron në nivele të moderuara, por ekspertët thonë se struktura e ekonomisë mbetet e ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme, ku rritja e kostove të energjisë dhe transportit shpërndahet në të gjithë zinxhirin ekonomik.

“Shqipëria nuk ndikohet drejtpërdrejt nga konflikti, por përmes tregjeve ndërkombëtare. Rritja e kostove të energjisë transmetohet në transport, prodhim dhe më pas në çmimet e konsumit”, pohoi Eduart Gjokutaj, eksperti i ekonomisë.

Sektorët më të ekspozuar janë transporti, ndërtimi dhe bujqësia, ndërsa familjet me të ardhura të ulëta mbeten më të rrezikuarat.

“Zgjidhja nuk është afatshkurtër. Nevojiten rezerva strategjike, politika fiskale të kujdesshme dhe investime në energji të rinovueshme për ta bërë ekonominë më rezistente”, tha Gjokutaj.

Nëse tensionet vijojnë, presioni mbi çmimet mund të kërkojë reagim edhe nga Banka e Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin.

Tv Klan

/tvklan.al