Është vënë re një trend rritës i punonjësve filipineze në vendin tonë, përfshirë këtu edhe në profesionin e dados.

Pikërisht për këtë temë është diskutuar në emisionin e sotëm (25 mars) të “Shije Shtëpie”, në Tv Klan, ku e ftuar ishte ekspertja e punësimit, Eni Kasmi.

Ajo bëri krahasimin midis dadove shqiptare dhe atyre filipineze, duke sqaruar edhe pse këto të fundit po punësohen më shumë.

Një nga arsyet kryesore është ajo ekonomike.

“Është rritur numri i dadove filipineze padiskutim. Janë më disponibël për fëmijët e tyre. Së fundmi, trendi i tregut duket se është duke kërkuar punonjëse të huaja në shtëpi. Jo vetëm se ato janë më të dedikuara, më afër mentalitetit që ne kërkojmë për fëmijët tanë, por janë edhe më pak të paguara. Pra, janë pak më të lira sesa të marrësh punonjëse shqiptare në shtëpi”, u shpreh ajo.

Më tej, Kasmi sqaron se punonjëset e huaja nuk kanë familjarë në vendin tonë, çka bën që të përkushtohen shumë më tepër sesa punonjëset shqiptare.

“Përkushtimin e kanë 100%, për arsye se ato familjet nuk i kanë këtu dhe normalisht e kanë mendjen 100% te puna, te të ardhurat që do të marrin nga ajo punë. Sigurisht janë më të përkushtuara ndaj fëmijëve, ndaj punëve që u jepen, ndoshta mund t’u japin diçka shtesë, duke qenë se banojnë afër këtyre familjeve dhe benefitet nga pjesa e pagesës janë më të lira sesa punonjëset shqiptare”, tha ajo.

/tvklan.al