Një 30-vjeçar është ekstraduar nga Holanda në vendin tonë. Kristi Bixheku i cili ndodhej në kërkim ndërkombëtar, rezulton me masë arrest në burg për disa vepra penale, si shkatërrim i pronës me eksploziv, sigurim i kushteve për të kryer vrasje dhe grup të strukturuar kriminal.
30-vjeçari pjesë e grupit të Laert Haxhisë, akuzohet se ka siguruar lëndën shpërthyese që është vendosur në shtëpinë e Bujar Turkut, në datë 31 dhjetor të vitit 2022. Gjithashtu ai akuzohet edhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje ndaj Genci Hida.
Kristi Bixheku, rezulton i ndaluar në 2021 si autor i dyshuar i vrasjes së Fridman Xhaferajt në Korçë, ngjarje e ndodhur në po të njëjtin vit, por që nuk u provua përfshirja e tij.
Grupi i Laert Haxhisë u godit nga policia dhe SPAK, ku u zbardhën 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 3 raste të vjedhjes me dhunë, 3 raste të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve, 1 rast i kanosjes së punonjësve të policisë, ngjarje këto të ndodhura në disa qytete të vendit, si edhe zbardhen e 2 vrasjeve të kryera në Greqi. ato u zbardhën nga i penduari i drejtësisë Artan Tafani.
Laert Haxhiu i cili u arrestua në Greqi, dhe u ekstradua drejt vendit tonë është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjes në 2017-ën por po përballet me drejtësinë edhe për akuza të tjera.
Klan News