28-vjeçari shqiptar akuzohet si organizator i sulmit terrorist të Nice

Endri Elezi, 28-vjeçari shqiptar i njohur ndryshe me emrin Endri Blliku i akuzuar si një organizatorët e sulmit terrorist të Nicës, është ekstraduar në Francë nga Italia.

Elezi kishte furnizuar me armë në 14 Korrik 2016 terroristin tunizian 31-vjeçarin Mohamed Lahouaiej Bouhlel që vrau në befasi 86 vetë, ndër ta edhe 14 fëmijë, si dhe la 400 të plagosur duke ju vërsulur me kamion një turme njerëzish në qytetin bregdetar francez. Elezi, 28 vjeç, u arrestua në 21 Prill me një urdhër-kërkimi ndërkombëtar i lëshuar nga shteti francez në Caserta në veri të Napolit.

Një gjykatë në Napoli miratoi ekstradimin e Elezit në Francë ndërkohë që gjatë seancës ai mohoi akuzat, duke thënë se nuk kishte shitur ose siguruar armë dhe nuk njihte asnjë nga personat e përfshirë në këto akte terrorriste. Edhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka nisur një hetim penal lidhur me shtetasin Endri Blliku ose Elezi. Ky shtetas nga Peqini me qëllim fshehjen nga autoritetet policore ka ndryshuar disa herë gjeneralitetet e tij, nga Endri Elezi në Juxhino Elezi, Xhino Elezi dhe përfundimisht në Endri Blliku.

Terrorristi tunizian Bouhlel u qëllua për vdekje nga policia franceze në timonin e kamionit që ai po ngiste dhunshëm drejt grupeve të turistëve në shëtitoren buzë detit në Nice. Më vonë në kabinën e kamionit të terroristit u gjetën eksplozivë dhe armë.

Ishte ora 22:34 e mbrëmjes kur menjëherë pas përfundimit të festes se fishekzjarreve kamioni 19 tonësh që ecte me 90 km / orë, duke bërë zigzag në shëtitoren e Nices, u përplas me turmën për të vrarë sa më shumë njerëz dhe të mos linte asnjë mundësi shpëtimi për ata që u përpoqën të fshiheshin në trotuar.

Në të gjithë botën njerëzit u bëjnë homazhe viktimave të këtij akti terrorist. I ashtuquajturi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin e Nices.

Klan News