13 qershor 2026 – Është ekstraduar nga Spanja Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit (ish-zv/drejtori i Rendit i Policisë së Tiranës), i cili është i akuzuar për trafikun e mbi 400 kg kokainë.
Ai ishte i shpallur në kërkim që nga nëntori i vitit 2023 si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të kokainës nga Amerika Latinë në Europë, por u vetëdorëzua në Spanjë më 2 prill të këtij viti.
Breçanët janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme në gusht të vitit 2024 lidhur me trafikun e drogës nga Amerika Latina, si dhe dhe për pastrim parash.
SEKUESTRIMI I SASISË PREJ 446 KG KOKAINË NË HOLANDË NË DATËN 05.01.2021
Ky fakt penal i atribuohet të pandehurve Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani.
Këta persona në bashkëpunim Ergys Dashi dhe persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, për trafikimin e kësaj sasie kokaine nga Amerika e Jugut për në Holandë.
Në datën 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.
SEKUESTRIMI I SASISË PREJ 69 KG KOKAINË NË BRAZIL NË DATËN 18.02.2021
Sekuestrimi i kësaj ngarkese me lëndë narkotike të llojit kokainë i është atribuar të pandehurve Ismail Zeneli (në rolin e porositësit dhe financuesit), Artan Sulejmani (financues), Eralbi Breçani (porositës dhe financues), Besmir Murtati (porositës dhe financues) dhe shtetasi Ergys Dashi i cili siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës si dhe më tej edhe ngarkimin e saj në port me destinacion portet e Evropës.
PASTRIMI I PRODUKTEVE TË VEPRËS PENALE OSE VEPRIMTARISË KRIMINALE NË SHQIPËRI
I pandehuri Erzen Breçani me veprime aktive të kundraligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga i pandehuri Eralbi Breçani si rezultat i aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura.
Nga aktet e administruara rezulton se veprimet e të pandehurve Erzen Breçani dhe Eralbi Breçani, kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave, produkte të veprimtarisë kriminale dhe integrimin e tyre në qarkullimin civil, veprime të cilat janë në shkelje të nenit 287 i Kodit Penal.
Në këtë mënyrë ata kanë fshehur dhe mbuluar natyrën e vërtetë, burimin e të ardhurave që kanë qenë produkt i një vepre penale, nën petkun e “investimit” në pasuri të paluajtshme apo në aktivitete tregtare në dukje të ligjshme.
/tvklan.al












Botërori 2026 
