Policia ka zgjeruar kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj, ngjarje e ndodhur paraditen e djeshme në qendër te Sarandës.
Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe 73-vjeçari Xh.S, i cili, sipas të dhënave paraprake, ishte kalimtar i rastit dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra janë sekuestruar si provë materiale në vendin e ngjarjes, ndërsa policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona, që ndodheshin në zonë në momentin e atentatit.
Hetuesit po punojnë edhe me kamerat e sigurisë në qytet, por një pjesë e tyre janë hapur dhe po analizohen, ndërsa të tjera ende nuk janë aksesuar, raporton gazetarja e Klan News Greta Haskaj.
Një nga pistat që po verifikohet është ajo e një atentati të kryer nga vrasës me pagesë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që vrasja të jetë pjesë e vazhdimit të konfliktit të nisur pas ngjarjes së korrikut të vitit të kaluar, ku u plagosën me armë zjarri E.L dhe G.H.
Në një komunikatë të shpërndarë pas ngjarjes, Policia bëri të ditur se kontrollet po zhvillohen në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës, përfshirë edhe vëzhgimin e territorit me dronë.
Nuk ka ende të dhëna zyrtare për identitetin e autorëve apo drejtimin, që ata mund të kenë marrë pas sulmit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po administron pamjet filmike, deshmitë dhe provat e tjera që mund të ndihmojnë në rindërtimin e ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Pas vrasjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një analizë me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë. Sipas njoftimit të Policisë, Hita kërkoi hetime të shpejta dhe një analizë të situatës kriminale në zonë, duke përfshirë konfliktet e evidentuara, personat me precedentë penalë dhe individët e dyshuar për veprimtari kriminale.
Drejtori i Përgjithshëm kërkoi gjithashtu rezultate për zbardhjen e ngjarjes së djeshme, por edhe për dosje të vjetra kriminale që vijojnë të mbeten pa autor.
Megjithatë, deri në këtë fazë, Policia nuk ka raportuar rezultate konkrete nga kontrollet. Hetimet për motivin, identifikimin dhe kapjen e autorëve vijojnë.
Dje, në 20 shtator rreth orës 09:55 minuta dy persona të hipur në një motor e të pajisur me skafandra hapën zjarr dhe vranë 44-vjeçarin Artan Myrtaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e njohur si ish-agjencia, në qendër të qytetit bregdetar, teksa i plagosur mbeti një kalimtar.












Botërori 2026 