Personi që shihni në foto është Beqir Devolli, 45-vjeçari që humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde plasëse në makinën tip Benz, me të cilën lëvizte në momentin e ngjarjes.

Viktima shoqërohej nga miku i tij, E.M, i cili mbeti i plagosur, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Shpërthimi i fuqishëm u regjistrua në bulevardin 18 Shtatori të qytetit të Gjirokastrës, me 45-vjeçarin që fillimisht mbeti i plagosur, por humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.

Dyshimet janë se lënda plasëse ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit, pra viktimës, teksa shpërthimi i saj është bërë i telekomanduar.

Burime nga grupi i hetimit i thanë TV Klan se Devolli po lëvizte në drejtim të shtëpisë së tij në Gjirokastër, ku vinte herë pas here, pasi në pjesën më të madhe të kohës ai banonte në Tiranë.

Nga verifikimet, viktima rezulton të ketë pasur edhe shumë hyrje-dalje drejt vendeve të Europës.

Deri në këtë fazë, hetuesit nuk kanë asnjë të dhënë se kur mund të jetë montuar tritoli në makinën e 45-vjeçarit dhe për këtë po verifikohen të gjitha lëvizjet e tij.

Për zbardhjen e ngjarjes, policia dhe prokuroria po verifikojnë disa pista, por më kryesorja është ajo e përfshirjes së viktimës në aktivitetin e trafikut të narkotikëve.

Tv Klan

/tvklan.al