Selami Hasani, 60-vjeçari që shihni në këtë foto u ekzekutua mëngjesin e kësaj të hëne në oborrin e banesës në Fier, ndërsa i nipi i tij, mbetur i plagosur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40, në lagjen “1 Maji”, teksa viktima dhe nipi i tij po kryenin punime në murin rrethues të banesës, kur autorët kanë hapur zjarr në drejtim të tyre.

60-vjeçari humbi jetën menjëherë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa nipi i tij u transportua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autorët janë larguar menjëherë pas ngjarjes në drejtim të Vlorës, duke djegur në fshatin Ndërmenas edhe automjetin tip Volvo të përdorur në krim. Brenda makinës së shkrumbuar, policia gjeti tre armë zjarri, që dyshohet se u përdorën në vrasje.

Për zbardhjen e ngjarjes hetuesit janë duke verifikuar të shkuarën e viktimës. 60-vjeçari Selami Hasani, i njohur edhe si ‘Sel Çami’ ose ‘Seli i Malit’, rezulton një emër me precedentë të mëparshëm kriminal.

Ai ka qenë i dënuar me 25 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 2002. Për këtë ngjarje viktima u arrestua në vitin 2008, për t’u liruar nga qelia rreth 3 javë më parë, pas afro 18 vitesh burg.

Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, hetuesit kanë nisur të grumbullojnë pamjet filmike në zonë, si dhe po verifikojnë konfliktet, ku viktima ka qenë i përfshirë.

Burime bëjnë me dije se për sigurimin e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorëve, Policia e Fierit ka ushtruar kontrolle në disa ambjente në qytet, por jo vetëm.

/tvklan.al