Llatja: Rreth 30 aktivitete, për herë të parë do të organizohen parada me trupat e Asambleve nga i gjithë qarku

Me ftesën për të festuar Ditën e Verës aty ku e do tradita, në qytetin ku festa lindi dhe u trashëgua brez pas brezi, kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dha disa detaje të axhendës së festimeve të cilat tashmë zgjasin plot 10 ditë.

Gledian Llatja: Kemi 10 ditë aktivitete në qytet, për të kulmuar në datën 13 dhe 14. Në fakt kemi filluar me një sërë aktivitetesh për fëmijët, do dalim në shesh, një sërë aktivitetesh edhe ditën e dielë.

Ashtu si çdo vit axhenda e festimeve pasurohet me detaje të cilat nuk i kemi parë më herët. Për herë të parë do të organizohet parada me trupat e Asambleve nga i gjithë qarku i Elbasanit si dhe Maqedonia e Veriut.

Gledian Llatja: Defileja do rikthehet këtë vit, e rrobave tradicionale të trevave shqiptare. Fillojmë tek stadiumi për ta përfunduar te sheshi kryesor ku të gjithë grupet e këngëve dhe valleve artistike do kenë performancën e tyre.

Po ashtu për herë të parë në bibliotekën e qytetit do të mbahet një simpozium mbi historikun e Ditës së Verës. Sofra elbasanase edhe këtë vit do të shtrohet për të promovuar gatimet tradicionale të Shqipërisë së mesme.

Klan News