Elbasanasit e njohin si Shtëpia e Sejdinëve. Ajo është ndërtuar në shekullin e XVIII dhe ka çardak. Sipas të dhënave, deri në fundin e shekullit të XVII, në Elbasan kishte 1128 banesa të tilla, çka tregon zhvillimin dhe mirëqenien e qytetit, që në atë periudhë numëronte mbi 20 mijë banorë.

Sot kjo shtëpi është një nga pasuritë më të mëdha kulturore dhe historike të qytetit dhe aty ndodhet Muzeu Etnografik, që mban në brendësi dëshmi të rralla nga e kaluara karakteristike e qytetit të Elbasanit.

Që në hyrje të godinës ka dëshmi nga e kaluara e qytetit. Por ky nuk është i vetmi gur që gjendet në këtë godinë që sot është muze. Në çdo dhomë të shtëpisë gjen objekte dhe materiale të ndryshme. Ato vijnë të organizuara në sektorë të ndryshëm. Një pjesë të rëndësishme zënë veglat e punës dhe ato të artizanatit.

Brenda këtij muzeu gjenden edhe enë të ndryshme dhe orendi të tjera. Një vend të veçantë u është dedikuar edhe veshjeve tradicionale të Elbasanit. Ato përfaqësojnë zona të ndryshme, ndërsa janë të realizuara me mjeshtëri.

Për të dëshmuar edhe elementë të tjerë të jetës në atë periudhë, janë të organizuara mirë edhe dhomat e tjera të shtëpisë. Një prej tyre është dhoma e burrave.

Kjo është edhe oda më e madhe e shtëpisë, çka tregon edhe për rëndësinë e saj. Këtu gjejmë elementë të ndryshëm. Nuk mungon as sofra, ku burrat uleshin këmbëkryq për të ngrënë.

Qyteti i Elbasanit ka pasur edhe armën e tij. Ajo sot është ekspozuar pikërisht në këtë odë të banesës. Jo vetëm burrat, por edhe gratë kishin dhomën e tyre me elementë të veçantë.

Brenda kësaj shtëpie gjen edhe dhomën bashkëshortore. Një dhomë të dedikuar kishin edhe vajzat e shtëpisë. Në moshën e rritur, në shekullin e vjetër, ato përgatisnin në këtë dhomë pajën e tyre të nusërisë.

Një ambient tjetër është edhe ai i çardakut. Nga këtu shihej pazari i qytetit. Gjithçka në këtë muze tërheq vëmendjen e vizitorëve, por veçanërisht edhe të turistëve të huaj. Ata tregojnë interes për të mësuar se si kanë jetuar dikur banorët e këtij qyteti.

Tani në fokus të autoriteteve lokale mbetet pasurimi i muzeut etnografik.

Klan News

/tvklan.al