Jepen direktiva për përmirësimin e kushteve të jetesës

Qeveria e re greke do të ketë si prioritet menaxhimin e fluksit të refugjatëve e emigrantëve. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis përcaktoi si direktiva kryesore përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, kalimin nën komandën greke të trupave të agjencisë Frontex që operojnë në vend dhe përmirësimi i procedurave për dhënien e azilit.

Robert Goro, gazetar: “Qytetarët grekë ia dhanë votën masivisht zotit Mitsotakis, pse i besuan shpresës për një të ardhme më të mirë në planin ekonomik. Por një javë pas betimit, qeveria e re tregon se ka si prioritet emergjent emigracionin. Mirëpo, shenjat e para të punës së qeverisë në këtë fushë, kanë një ngjashmëri të përpiktë me qeverinë e mëparshme, që e identifikoi gjithë politikën e emigracionit me trajtimin e refugjatëve, duke lënë pas dore shërbimet administrative për atë popullatë të madhe emigrantësh ekonomikë që ndodhen prej gati tre dekadash në Greqi.”

Prej shumë kohësh në këto shërbime janë rikthyer radhët e gjata, ku emigrantët zënë vend që në orët e natës, ndërsa u duhet të presin më shumë se dy vjet për të marrë lejet e qëndrimit.

Një nga shkaqet e kësaj situate ka qenë indiferenca e qeverisë së mëparshme për të siguruar personelin e nevojshëm, si dhe disa ndryshime ligjore që e vështirësuan më tepër një pjesë të procedurave.

Tashmë, kryeministri i ri e ka kaluar politikën e emigracionit në ministrinë e mbrojtjes së qytetarit, akt që është kritikuar nga opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

Tv Klan