Nga kjo e enjte, kush dëshiron të emigrojë drejt Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion një rrugë të shkurtër, por shumë të shtrenjtë për të marrë shtetësinë.
Administrata Trump prezantoi skemën e re të vizave që favorizon të pasurit dhe talentet përmes aplikimit në portalin trumpcard.gov.
“Trump Gold Card” quhet paketa që kushton 1 milion dollarë, përmes të cilës emigrantëve u jepet automatikisht vizë 5-vjeçare në përfundim të së cilës përfitojnë rezidencën e përhershme dhe shtetësinë.
Bizneset amerikane që duan të tërheqin punonjës të huaj përmes rrugës së shkurtër paguajnë 2 milionë. Në dispozicion vihet edhe një kartë tjetër “Platinum” që kushton 5 milionë dollarë, e cila për aplikantët ofron edhe lehtësira të mëdha tatimore. Për çdo aplikim për këtë sistem vizash, tarifa e pakthyeshme e përpunimit është 15 mijë dollarë.
Metodat tradicionale janë në fuqi për të gjithë ata që duan të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara, por nuk kanë kaq shumë para. Ndërsa për vizat turistike, do të kërkohen edhe adresat e rrjeteve sociale dhe postave elektronike për të parë aktivitetin e 5 viteve të fundit për të verifikuar tendencat e jashtëligjshme.
Demokratët thanë se skema favorizon padrejtësisht të pasurit, ndërkohë që administrata po zbaton masa të ashpra ndaj emigracionit, përfshirë dëbime e pezullime vizash e ndalime udhëtimi nga 19 vende.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
