Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë sinjalizuar në mënyrë jozyrtare se do t’u lejojnë emigrantëve të kalojnë më shumë kohë jashtë vendit pa humbur statusin e tyre të favorshëm tatimor, ndërsa vendi përpiqet të inkurajojë kthimin e banorëve që u larguan pas shpërthimit të konfliktit me Iranin.
Personat që janë larguar nga shteti i Gjirit që nga fillimi i luftës ka të ngjarë të përfitojnë më shumë tolerancë në lidhje me rregullat që kërkojnë praninë e tyre në Emiratet e Bashkuara Arabe për një numër minimal ditësh çdo vit për t’u kualifikuar si rezidentë tatimorë, shkruan Financial Times duke iu referuar burimeve.
Ky hap do të ishte veçanërisht i rëndësishëm për Dubain, i cili është shndërruar në qendrën financiare të rajonit, duke tërhequr individë të pasur me normën zero të tatimit mbi të ardhurat, si dhe me reputacionin për siguri dhe bollëk kapitali.
“Dubai tashmë ka parë që pika e tij e fortë e sigurisë dhe stabilitetit është dëmtuar nga ngjarjet e fundit. Është shumë e rëndësishme për ekonominë dhe imazhin e tij të mbajë këta emigrantë”, tha Elsa Littlewood, konsulente biznesi për çështje financiare dhe tatimore në BDO.
Emiratet e Bashkuara Arabe operojnë me dy skema për emigrantët që kërkojnë të përfitojnë nga rezidenca tatimore. Individët zakonisht duhet të kalojnë 183 ditë brenda një periudhe të vazhdueshme 12-mujore, ose 90 ditë nëse kanë kontratë pune apo një banesë të përhershme.
Bëhet e ditur se zyrtarët e lartë në Autoritetin Federal të Tatimeve të Emirateve janë të rezervuar për të dhënë përjashtime të përgjithshme, por kanë këshilluar se aplikimet do të shqyrtohen rast pas rasti pasi të përfundojë konflikti, sipas dy avokatëve të informuar nga Autoriteti.
Përveç numrit të ditëve, Emiratet kanë edhe një klauzolë “qendra e jetës”, e cila lejon rezidencën tatimore nëse “vendbanimi i zakonshëm ose kryesor dhe qendra e interesave financiare dhe personale” të një personi që ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Rrethanat e jashtëzakonshme gjithashtu mund të merren parasysh nga autoritetet në përcaktimin e rezidencës.
“Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe do të reagojë sipas nevojës ndaj situatës, duke marrë parasysh ndërprerjet e udhëtimeve rast pas rasti”, tha Michael Kortbawi, partner i lartë në kompaninë ligjore BSA Law në Dubai.
Testi për rezidencën në Emiratet e Bashkuara Arabe fillon më 1 janar, që do të thotë se personat që u larguan, kur lufta me Iranin filloi më 28 shkurt, rrezikojnë të humbasin statusin e tyre tatimor nëse nuk kthehen në muajt në vijim ose nëse zbutja e rregullave nuk implementohet zyrtarisht.
Vendosmëria e disa prej këtyre emigrantëve për të nxituar për të mos humbur statusin është dobësuar ndërsa lufta hyn në javën e tretë dhe infrastruktura kyçe është vënë në shënjestër, përfshirë distriktin financiar të Dubait, ku shumë prej tyre punojnë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
