Janë shpallur nominimet për edicionin e 78-të të çmimeve Emmy, ku fituesja e madhe e ditës ishte drama mjekësore “The Pitt”. Seriali i HBO Max kryeson listën me plot 25 nominime, përfshirë kategorinë e “Serialit më të Mirë Dramatik” dhe plot 13 nominime për aktrim, ndërsa protagonisti Noah Wyle garon për çmimin e “Aktorit më të Mirë”.

Në vendin e dytë renditet komedia “Hacks”, e cila siguroi 24 nominime për sezonin e saj të pestë, duke vendosur një rekord të ri si seriali komedi me më shumë nominime në historinë e Emmy-ve. Aktorja Jean Smart është favorite për të fituar Emmy-n e saj të pestë për këtë serial dhe të tetin në karrierë.

Mes surprizave të këtij viti ishte edhe seriali i ri horror-komedi “Widow’s Bay” i Apple TV+, që mori 19 nominime, ndërsa drama “Pluribus”, po nga Apple TV+, u vlerësua me 18 nominime.

Në kategorinë e serialeve të kufizuara, kryeson sezoni i dytë i “Beef” në Netflix, me 16 nominime.

Nga televizionet tradicionale, emisioni legjendar “Saturday Night Live” i NBC-së mori 11 nominime, më shumë se çdo program tjetër në transmetim televiziv.

Falë suksesit të “The Pitt”, “Hacks” dhe “DTF St. Louis”, HBO Max udhëheq bindshëm mes platformave streaming me rreth 122 nominime, edhe pse më pak se rekordi prej 142 nominimesh të vitit të kaluar.

Kur zhvillohet ceremonia?

Ceremonia e Emmy Awards 2026 do të mbahet më 14 shtator në Peacock Theater në Los Angeles dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga NBC dhe Peacock.

Për herë të parë pas 15 vitesh, ceremonia do të drejtohet nga një grua. Prezantuese do të jetë aktorja dhe producentja Mariska Hargitay, e njohur për rolin e saj në serialin “Law & Order: SVU”.

Rregulla të reja për Emmy-t

Akademia e Televizionit ka prezantuar disa ndryshime të rëndësishme këtë vit. Kategoritë e emisioneve “talk show” dhe “variety” janë bashkuar në një kategori të vetme, ndërsa për disa çmime nuk do të ketë vetëm një fitues.

Në kategoritë e quajtura “area awards”, çdo i nominuar që merr miratimin e të paktën 90% të votuesve do të shpallet fitues, çka do të thotë se në të njëjtën kategori mund të ketë më shumë se një fitues.

Gjithashtu, Akademia ka ndryshuar emrin e kategorisë së filmit televiziv në “Outstanding Movie”, ka publikuar udhëzime të reja për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) dhe ka zgjeruar kriteret e pranimit në disa kategori teknike.

Për edicionin e këtij viti u paraqitën 555 produksione televizive, më pak se 600 një vit më parë, ndërsa në garë përfshihen seriale dhe programe të transmetuara nga 1 qershori 2025 deri më 31 maj 2026.

/tvklan.al