Miller fiton garën e Quantararo vijon kryesimin, Marquez rrëshket sërish

Piloti australian Jack Miller me “Ducati” fitoi garën e Çmimit të Madh të Francës në MotoGP të zhvilluar në pistën e Lë Man. Miller e nisi garën nga vendi i tretë, por rikuperoi dhe triumfoi, duke korrur suksesin e dytë sezonal. Në vendin e dytë u rendit francezi Johann Zarco me ”Ducati”-n tjetër, ndërsa i treti u klasifikua francezi tjetër Fabio Quartararo me “Yamaha”, që u nis nga vendi i parë. Dy pilotë francezë ngjitën në podium në garën e shtëpisë.

Gara u kompromentua nga shiu, teksa të gjithë pilotët u futën dhe ndërruan motorët me goma enkas për këto kushte. Nga kjo situatë përfitoi Marc Marquez, që mori provizorisht kreun, por spanjolli rrëzohet keq, për fat, pa dëme. Ai rifutet në pistë, por e ka të pamundur, pasi rrëzohet edhe njëherë tjetër. Një tjetër garë për t’u harruar për Valentino Rossin, që edhe pse pati mundësi të ishte ndër vendet e para, zhgënjeu, e mbylli i 11-i.

“Era shtoi shiun dhe unë mendova se gara do të ndalej. Ndihesha shumë rehat në pistë. Është e mahnitshme dhe nuk mund ta besoj se kam fituar. Shumë kolegë humbën kontrrollin dhe ranë në pistë. Fatmirësisht unë i shpëtova”, tha Jack Miller.

Kryesimin e kampionatit e merr Quartararo me 80 pikë, ndjek Bagnaia me 1 pikë më pak, pastaj Zarco 68 pikë dhe Miller 64.

Klan News